'Nën masë sigurie nga SPAK', Logu kundërshton akuzat: Nuk kam bërë asgjë të paligjshme, ky është një sulm politik dhe tentativë për të më kriminalizuar

'Nën masë sigurie nga SPAK', Logu kundërshton akuzat: Nuk kam bërë asgjë të paligjshme, ky është një sulm politik dhe tentativë për të më kriminalizuar

14:44, 10/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sot, me urdhër të SPAK, avokati Besart Logu është ndaluar dhe i janë kryer kontrolle në banesë dhe në zyrën e tij ligjore, në lidhje me hetimet për një shumë parash që thuhet se i ka marrë nga një klient.

Vetë avokati reagoi përmes rrjeteve sociale, duke mohuar çdo veprim të paligjshëm dhe duke theksuar se gjatë kontrollit nuk u gjet asnjë provë që lidhej me hetimin.

Ai sqaroi se nuk ka marrë para për ushtrim ndikimi, nuk ka takuar asnjë zyrtar drejtësie dhe nuk ka kryer shërbime kundraligjore.

LEXO EDHE: Mori 8 mijë euro/ Avokatit Besart Logu i caktohet masa 'arrest shtëpie', dyshohet për ndikim të paligjshëm

“Gjatë gjithë karrierës sime kam vepruar brenda ligjit dhe me prioritet vetëm interesin e klientit. Ky është një përpjekje për të kriminalizuar veprimtarinë e avokatit,” tha Logu, duke shprehur shqetësim për familjen dhe të njohurit e tij.

Ai gjithashtu bëri një koment ironik duke rikujtuar skeçin e Fadil Hasës: “Kur isha para agjentëve të Policisë mu kujtua skeçi ku prokuroria i komunikonte akuzat dhe Fadili fliste me vete ‘Sa i rrezikshëm paskam qenë!’”

Pjesë nga deklarata:

Reagim zyrtar!
Sot, rreth orës 08:30 të mëngjesit, tek po çoja vajzën në kopësht e për të nisur më pas rutinën ditore, jam ndaluar në hyrjen e pallatit nga agjentë të Krimit Ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku më është komunikuar vendimi i GJKKO në lidhje me masën e sigurimit dhe të kontrollit personal, të banesës si dhe të zyrës ku ushtroj aktivitetin.
Gjatë kontrollit nuk u gjend asnjë send i paligjshëm apo çdo provë tjetër që ka lidhje me objektin e hetimit.
Nga sa më sipër sqaroj se:
1. Nga ana ime nuk është kryer asnjë veprim që mund të ngrejë dyshime për ndonjë vepër penale të mundshme. Gjatë gjithë karrierës time si avokat kam shërbyer me devotshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë duke patur prioritet vetëm interesin e klientit dhe kjo brënda kornizave që rregullon ligji.
2. Në lidhje me rastin konkret, nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Kam bërë vetëm punën e avokatit, si në ngritjen e mbrojtjes ashtu edhe në takime me familjarë e të njohur të klientit qofshin këto edhe agjentë të infiltruar. Jam në gjendje të provoj çdo akt timin dhe t'i dal për zot të gjitha pretendimeve që ka ngritur Prokuroria. Kjo sepse nuk ka ndonjë gjë të re përveçse përditshmërisë së një avokati.
Lajmi i keq në gjithë këtë histori është se po tentohet kriminalizimi i sjelljes së avokatit. Kjo tendencë duket edhe tek ndryshimet e Kodit Penal ku qeveria vlerëson si element penal edhe rastin kur ke marrë më shumë para nga sa ke ofruar shërbim.
Kështu, jam i gatshëm të përballem me këtë akuzë sepse jam i bindur në një të vërtetë absolute:
▪︎ Nuk kam marrë para për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
▪︎ Nuk kam takuar asnjë zyrtar drejtësie
▪︎ Si dhe nuk është marrë mbrapsht asnjë shërbim i kundraligjshëm.
Këtë e provon çështja në fjalë dhe e gjithë ecuria e saj.
I vetmi problem momental për mua është shqetësimi i krijuar tek familja e tek të njohurit të cilët gjej rastin t'i falenderoj per suportin moral që më kanë dhënë.
P.S. kur isha para agjentëve të Policisë mu kujtua skeçi i Fadil Hasës ku prokuroria politike e kohës i komunikonte akuzat dhe ai fliste me vete "Sa i rrezikshëm paskam qenë"!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco