Disa persona janë arrestuar pas incidenteve të ndodhura pas sfidës mes Dinamos dhe Jagiellonias mbrëmë në stadiumin Air Albania.
Incidentet kanë vijuar nga përplasja mes tifozëve deri tek përdhosja e përmendores së Skënderbeut nga disa huliganë polakë.
Policia ka arrestuar 3 tifozë shqiptarë, të cilët akuzohen se penguan qarkullimin e automjeteve dhe gjuajtën me sende të forta 3 autobusë që transportonin tifozët e Jagiellonias, në afërsi të Vorës.
Nga 5 persona të identifikuar, 3 prej tyre janë arrestuar ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë.
Policia informon se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur 17 vjeç
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pas mesnate, në aksin rrugor “Qafë Kashar - Rinas”, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë gjuajtur me sende të forta, 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli. Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Çfarë ndodhi mbrëmë?
Pas përfundimit të ndeshjes mes Dinamo City dhe ekipit polak Jagiellonia, e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në “Arenën Kombëtare”, kryeqyteti u përfshi nga episode dhune dhe përplasje mes tifozëve.
Në afërsi të stadiumit, një nga tifozët polakë u dhunua nga një grup tifozësh shqiptarë, madje ka informacione se nje tifoz polak është shoqëruar nga policia drejt Rinasit me frakturë në krah. Personi në fjalë ishte identifikuar disa orë më parë si njëri nga huliganët që kishte përdhosur bustin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin qendror të Tiranës. Pamjet e këtij akti provokues ngjallën zemërim të madh në opinionin publik dhe shkaktuan reagime të ashpra.
Pak më vonë, në afërsi të Rinasit, autobusi i tifozëve të Jagiellonias u bë objekt sulmi nga një grup tifozësh shqiptarë. Pati tension mes palëve, çka kërkoi ndërhyrjen e forcave të shumta të rendit për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Lexo me shume: Përdhosën bustin e Heroit Kombëtar, huliganët e Jagiellonias sulmohen nga tifozë shqiptarë
© SYRI.net