Një tjetër ngarkesë e madhe me lëndë narkotike, është sekuestruar mëngjesin e sotëm nga policia greke pranë kufirit greko-shqiptar në Igumenicë. Kjo është sasia e dytë e kapur në këtë zonë brenda 8 ditëve të fundit.
Konkretisht, në një operacion që u zhvillua sot në mëngjes, oficerët e policisë nga Departamenti i Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë, u bllokua një makinë private e marrë me qira. Në timon ishte një grua 61-vjeçare greke me origjinë nga Moskaton, Athinë.
Gjatë kontrollit të pjesës së brendshme të automjetit, oficerët e policisë gjetën dhe sekuestruan 90 pako me 96 kg e 74 gram marijuanë, një sasi kokaine me peshë 5.21 gram, një sasi e vogël hashashi të llojit “çokollatë”, 100 euro dhe 2 telefona celularë.
Sasia e sekuestruar sot dyshohet se është trafikuar nga Saranda, duke kaluar përmes fshatrave të Bashkisë Konispol. 8 ditë më parë, në Nea Selefkia të Igumenicës, u sekuestruan rreth 110 kg marijuanë që kishin kaluar nga fshati Çiflik i Konispolit, ndërkohë që policia greke arrestoi një shtetas turk.
Paralelisht policia greke ka njoftuar për të dyja rastet edhe homologët shqiptarë, konkretisht Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë. Policia kufitare e Sarandës ka ngritur grupe kontrolli përgjatë kufirit të gjelbër por edhe në zonat detare, për të identifikuar autorët e mundshëm të trafikimit të drogës për të dyja rastet.
Ka dyshime se në Sarandë janë riaktivizuar linja të trafikimit të drogës, pasi në 10 muajt e fundit, në Igumenicë janë kapur disa raste të trafikimit të marijuanës me një sasi të kapur prej rreth 540 kg. Në një nga rastet, droga u sekuestrua në një skaf i cili u mbyt, por që u arrit të kapej drejtuesi, një shtetas nga Saranda.
Riaktivizim të trafikut të drogës nga Shqipëria ka pasur edhe në zonën e Janinës, Kosturit e Selanikut, ku bashkë me sasinë e kapur në Igumenicë, rezulton se në 10 muajt e fundit janë sekuestruar rreth 1.2 ton marijuanë.

© SYRI.net