Avokatët e italianit Davide Pecorelli kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për kushtet e burgut në Shqipëri, letër Tajanit: Po shkelen të drejtat e njeriut

Avokatët e italianit Davide Pecorelli kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për kushtet e burgut në Shqipëri, letër Tajanit: Po shkelen të drejtat e njeriut

09:57, 09/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Avokatët e Davide Pecorellit, biznesmenit italian i burgosur në Shqipëri për inskenimin e vdekjes së tij, i kanë dërguar një letër ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, si dhe Ambasadës Italiane në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e të drejtave të klientit të tyre gjatë qëndrimit në paraburgim.

Në letrën e firmosur nga avokatët Massimo Brazzi dhe Andrea Castori, theksohet nevoja për një proces të drejtë dhe transparent para Gjykatës së Apelit në Tiranë, me seancën e caktuar më 18 shtator.

Avokatët ankohen për kushtet e rënduara në burgun 313 në Tiranë, ku Pecorelli mbahet në një dhomë prej vetëm 16 metrash katrorë së bashku me tetë persona të tjerë, pa ujë të rrjedhshëm. Sipas tyre, këto kushte përbëjnë shkelje të rëndë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rrezikojnë trajtime çnjerëzore dhe degraduese.

Në apelin e tyre janë përfshirë edhe deputetja dhe senatori italian nga zona e Umbrisë, Anna Ascani dhe Walter Verini, të cilëve u është përcjellë komunikimi për dijeni.

Davide Pecorelli, i dënuar me katër vite burg për “Mashtrim”, “Dhunim varresh”, dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, u ekstradua në Shqipëri pasi u zbulua gjallë pas inskenimit të vdekjes së tij në Pukë, lidhur me borxhet që kishte në Itali.

Rasti i tij ka tërhequr vëmendje edhe në opinionin publik italian, ku influencuesi Alessandro Della Giusta ka publikuar një video që sjell detaje nga historia e Pecorellit dhe gjendja e tij e rënduar në burg.

Në një intervistë të fundit, Pecorelli deklaroi se ka humbur 6 kilogramë dhe po mbahet në kushte të vështira në qelinë ku ndodhet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco