Memolla i pandehur për korrupsion zgjedhor, akuza pas denoncimit ekskluziv në Syri TV

19:39, 27/03/2024
A+ Aa A-

 

Në gjykimin e kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla për akuzën e korrupsionit zgjedhor, avokatët paraqitën disa kërkesa.

Ermir Beta që mbron kryebashkiakun, deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm dhe kërkoi të thirren ndërkohë disa persona si dëshmitar.

Mes tyre u kërkua të pyetej edhe personi që ka montuar materialin filmik që u transmetua ekskluzivisht nga Syri Televizion, mbi të cilën edhe u ngrit akuza ndaj zyrtarit vendor.

Por kjo kërkesë u kundërshtua menjëherë nga Prokurori i çështjes, i cili tha se nuk mund të pyetet dikush që ka bërë thjesht punën e tij.

Gjykata vendosi të mos e pranojë kërkesën e mbrojtjes duke e konsideruar të panevojshme.

 

SYRI TV

Në gjyqin e themelit për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla, lidhur me akuzën për korrupsion zgjedhor, këtë të mërkurë më GJKKO, u parashtruan kërkesat e palëve.

Vetë kryebashkiaku nuk merrte pjesë në seance, ndërsa  mbrojtja e tij kërkoi pafajësinë duke pretenduar mes të tjerave se Memolla nuk ka qenë kryebashkiak në kohën kur është zhvilluar biseda për favorizim të debitorëve pranë OSHEE-së në këmbim të votave, denoncim që u bë ekskluzivisht nga Syri Tv.

“Kërkojmë deklarimin e pafajshëm të klientit tonë. Fakti i paraqitur nga Prokuroria nuk përbën vepër penale, gjithashtu elementi i dytë që kemi konstatuar është se mungojnë provat mbi të cilat të ngrihet një akuzë e tillë. Në telefonin e Hatixhe Daja nuk ka të regjistruar asnjë telefonatë, numër celulari apo bisedë që të zhvillohet mes saj dhe Edison Memollës. Ky i fundit në kohën kur pretendohet të jetë bërë biseda, nuk ka qenë kryebashkiak por nënkryetar bashkie. Në këto rrethana ai nuk e dinte kush do të ishte apo nuk do të ishte kandidat. Kërkojmë të thirren si dëshmitarë për deklarime shtetasit, Hatixhe Daja, Nazmi Daja dhe Sadushe Sharka. Të kërkohet nga Syri Televizion që ka transmetuar materialin, të sillet personi që e ka montuar, që të pyetet për kohën kur është montuar, si e ka marrë materialin, a është shtuar apo hequr diçka. Të provohet nëse regjistrimi është origjinal, nëse ka montime apo prerje”.

Kërkesa e fundit u kundërshtua nga prokurori i Posaçëm Edvin Kondili, i cili tha se punonjësi nuk është subjekt i gjykimit dhe se nuk mund të pyetet dikush që bën vetëm punën e tij.

“Nuk duhet të pranohet kërkesa për thirrjen e personit që ka bërë montimin e materialit në Syri Televizion. Nuk ka vlerë që një punonjës i caktuar i një televizioni që ka bërë punën e tij, të na shpjegojë procedurën e punës që bën. Nuk ka vlerë dhe nuk është mirë të identifikohet dikush që thjesht ka bërë punën e tij, pasi nuk ka lidhje me objektin e këtij gjykimi. Pamjet i kemi administruar”.

Gjykata vendosi të shprehet njësoj me qëndrimin e prokurorit duke rrëzuar kërkesën e avokatit të Edison Memollës lidhur me pyetjen e punonjësit që ka montuar materialin. Gjithashtu u refuzua kërkesa për të pyetur disa persona që u përmendën në proces, me detyra funksionale si përfaqësues të opozitës në kohën kur ka ndodhur vepra penale, por u pranua kërkesa që të pyetën të pandehurit si dhe disa dëshmitarë.

Seanca e radhës për pyetjen e tre prej dëshmitarëve u caktua të mbahet më 11 prill në orën 13:00.

Më pas do të bëhet edhe paraqitja e provave shkresore nga Prokuroria. Të bashkëpandehur me Edison Memollën që vijon të jetë kryebashkiak janë edhe Ndriçim Tafxhafa, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco