Kronologjia e atentatit ndaj Gjeloshit në Kurbin/ Kamerat e sigurisë tregojnë si veproi skuadra e vrasësve

Kronologjia e atentatit ndaj Gjeloshit në Kurbin/ Kamerat e sigurisë tregojnë si veproi skuadra e vrasësve

20:47, 14/02/2024
A+ Aa A-

Është zbardhur kronologjia e ngjarjes së ndodhur disa ditë më parë në Kurbin, ku u nga breshëria e plumbave humbi jetën ekonomisti i firmës Selman Mihana, rreth 70-vjeç, ndërsa u plagos pronari Ardian Gjeloshi.

 Ngjarja e plotë është zbardhur në emisionin “Në Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala.

Aktualisht, Gjeloshi ndodhet në spital dhe jashtë rrezikut për jetën.

Dokumentari:

10 shkurt 2024. E shtunë. Ora 6.30. Një makinë e blinduar, sapo është futur në ambientet e brendshme të një firme inertesh në fshatin Gurëz në Kurbin.

Si në çdo rutinë të tijën të punës, edhe këtë mëngjes, Ardian Gjeloshi, sapo ka zbritur nga automjeti i tij dhe fillimisht ka kryer një inspektim të shpejtë të situatës në oborrin e firmës në pronësi. Ku takimin e parë e ka zhvilluar me ekonomistin e firmës. Por pa kaluar vetëm pak minuta nga prania e tij në ambientet e brendshme të firmës, një batare plumbash u derdhën papritur në drejtim të 51 vjeçarit dhe të ekonomistit, Selman Mihana. Duke e lënë të vdekur në vend këtë të fundit, dhe të plagosur Ardian Gjeloshin, që ishte shënjestra e vërtetë e atentatit. Por si u ndoq Ardian Gjeloshi, mëngjesin e datës 10 shkurt, që nga dalja e tij nga banesa deri në momentin që vuri këmbë në oborrin e firmës? Dhe përse atentatorët zgjodhën pikërisht këtë moment për të qëlluar ndaj tij, por që më së shumti qëlloi fatkeq për ekonomistin e tij? Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, gjithçka ka ndodhur në harkun kohor të pak minutave. Për të mos thënë të pak sekondave. Ardian Gjeloshi, biznesmen dhe një personazh i njohur në zonën e Kurbinit, edhe për shkak të së shkuarës së tij kriminale, ishte i njohur me rreziqet që i kanoseshin.

Për këtë arsye ai lëvizte gjithmonë me një makinë të blinduar dhe thuajse kishte shmangur çdo dalje në qytet.  Ashtu siç edhe zgjodhi të bëjë mëngjesin e së shtunës, kur me makinën e tij të blinduar u fut deri në thellësi të oborrit të firmës së interteve. Por pikërisht kur mendonte se asgjë nuk mund ta cenonte, në këtë moment ai u sulmua me një breshëri të gjatë plumbash. Sipas të dhënave të para të ofruara nga grupi hetues, personat që hapën zjarr ishin të paktën 2 burra.

Të cilët zbritën nga dy automjete që kishin hyrë brenda biznesit. Aty ku nga më pas qëlluan në drejtim të objektivit të tyre, në këtë rast Ardian Gjeloshit. I cili me të ndjerë plumbat, u mundua të fshihet menjëherë, duke marrë plagë jo të rrezikshme për jetën. Gjë që nuk ndodhi me ekonomistin e tij, i cili nuk mundi t’i shpëtojë furisë së plumbave të lëshuar ndaj tij, me gjasë duke tentuar të mbrojë pronarin. Që sipas grupit hetues dhe atyre që u gjetën në vendngjarje, ishin të paktën 50 gëzhoja. Sipas pamjeve filmike të ofruara nga kamerat e sigurisë në objektin ku ndodhi sulmi, personat e armatosur, kanë mbërritur në ambientet e jashtme të firmës, me dy automjete të ndryshme. Që ndiqnin me shpejtësi njëra tjetrën. Akrepat ende nuk kishin shënuar orën 7.00, kur ata janë paraqitur aty me një makinë ‘Range Rover’, që në kofanon e saj të përparme, mbante një fenelinë policie dhe një makinë më të vogël, tip ‘Golf 5’. Po sipas asaj çfarë kanë dokumentuar kamerat e sigurisë, nga automjetet kanë dalë vetëm pjesëtarët e togës së pushkatimit. Të cilët në duar mbanin nga një armë kallashnikov.  Kamerat kanë fiksuar të paktën 2 qitës, por mendohet të kenë qenë më shumë.

Ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit të ekzekutimit nuk kanë dalë nga automjetet, me siguri për t’u ruajtur krahët nga ndonjë surprizë që mund t’u vinte, ndoshta edhe pas shpine, duke ditur që Ardian Gjeloshi, ishte një person me njohje dhe reputacion në zonë. Në momentin e sulmit në firmën e inerteve, krahas pronarit Ardian Gjeloshi dhe ekonomistit të tij tashmë të ndjerë, ishin edhe katër punonjës të tjerë, të cilët për fat të mirë nuk u prekën nga plumbat, ndërsa Gjeloshi ka mundur të dalë nga ana e pasme e godinës dhe të mbijetojë.

“Rreth orës 07:00, të datës 10 shkurt 2024,  është marrë njoftim se në fshatin Gurëz, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Selman Mihana, rreth 70 vjeç, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari shtetasi Ardian Gjeloshi, rreth 51 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore”, njoftonte policia atë ditë.

Fill pas këtij sulmi të armatosur, Ardian Gjeloshi, thuhet se ka shkuar i vetëm në spitalin më të afërt. Edhe pse i plagosur, ai ka mundur t’i japë vetë makinës së tij të blinduar dhe të paraqitet në spital. Ndërsa policia që ka bërë menjëherë rrethimin e zonës ku ndodhi krimi, nuk ka mundur ta gjejë fillimisht aty. Por ta intervistojë rreth detajeve të atentatit, vetëm nga shtrati i spitalit, ku kishte shkuar për t’u kuruar.  Vetëm pak minuta, pas sulmit me armë në ambientet e firmës së inerteve, policia mundi të gjejë jo shumë larg vendit të ngjarjes, dy makinat e përdorura nga atentatorët si edhe armët tip kallashnikov që u përdorën në krim.

Makina që u zbuluan të djegura në zallin pranë shtratit të lumit Mat, në afërsi të Urës së Milotit. Gjetja e tyre u bë në orën 7.20 dhe njoftimi u dha nga një banor i zonës. Ndërsa në brendësi të dy automjeteve të përdorura në atentat, u zbuluan katër kallashnikovë.

 Gjendja Shëndetësore

 51 vjeçari, Ardjan Gjeloshi ndodhet në spital dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai u qëllua me dy plumba. Ka ai mori një plagë tejshpuese në ije sipër legenit, si dhe një plagë tjetër në dorën e majtë, tek bërryli.  Nga hetimet e mëtejshme të policisë së Kurbinit, rezultoi se makina e parë e përdorur në krim, e tipit ‘Range Rover’, e cila mbante mbi kofano një fenelinë policie, është vjedhur jo shumë kohë më parë në qytetin e Lezhës.  Mendohet vetëm 12 ditë përpara se të përdorej në krim. Po kështu edhe targat e përdorura nga ky automjet, janë raportuar si të vjedhura.

“Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, ku është rrethuar zona dhe ka vijuar kontrolli i territorit. Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar edhe forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale RENEA.

Sipas dinamikës së ngjarjes, autorët kanë qëlluar nga jashtë firmës, ndërkohë plumbat i kanë kapur gjatë momentit që po futeshin në zyrë. Në këtë moment i pranishëm ka qenë vetëm roja i objektit dhe shënjestra ka qenë pronari i firmës i cili dyshohet se është qëlluar për shkaqe hakmarrje”, sqaron policia.

Por me interes për grupin hetues është edhe dinamika se si grupi i atentatorëve mbërriti deri në vendin e ngjarjes. Se si ata e kanë ndjekur prenë e tyre, Ardian Gjeloshi, nga dalja e banesës deri në mbërritjen në ambientet e pronës së tij të interteve. Sipas edhe panoramës që kanë ofruar kamerat e sigurisë në objekt, që mendohet se kanë qenë disa të tilla, në fillim ajo që vihet re është se nga një degëzim dytësor, afrohen dy automjete. Në këtë rast një ‘Range Rover’ dhe një ‘Golf 5’. I pari që futet brenda objektit nga dera kryesore është automjeti ‘Range Rover’. Dhe pas tij në të njëjtën kohë futet edhe automjeti tip ‘Golf 5’. Koha e hyrjes së dy automjeteve në objekt, shënon 6.58 min, kjo e konfirmuar edhe nga kamerat e sigurisë. Ky është momenti kur dy automjetet afrohen pranë zyrës së firmës. Në këtë çast brenda tyre ndodheshin Ardian Gjeloshi dhe ekonomisti i firmës së tij, 70 vjeçari, Selman Mihana. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar edhe momentin, kur autorët dalin me makinat e tyre jashtë rrethimit të firmës së inerteve, dhe po nga një degëzim dytësor, shkojnë poshtë urës së Milotit, aty dhe djegin automjetet dhe humbasin gjurmët. Ajo që duket e paqartë është nëse dy automjetet i ka pritur një tjetër makinë apo jo. Apo autorët kanë zgjedhur të largohen në këmbë. Po përse u qëllua Ardian Gjeloshi dhe cilat janë problemet me të cilat ai është ndeshur gjatë viteve të fundit, çka e kanë detyruar edhe të lëvizë me një automjet të blinduar? Ashtu si edhe në ditën kur u sulmua me armë.

Problemet e biznesmenit, Ardian Gjeloshi me persona të ndryshëm i konfirmon edhe zv/drejtori i Krimeve, Gentjan Berberi, i cili në një dalje publike për mediat në lidhje me ngjarjen, tha se një nga pistat e mundshme të sulmit ndaj shënjestrës së atentatit, mund të jetë edhe hakmarrja.

 Gentjan Berberi, Zv/drejtor i Krimeve të Rënda: Po hetojmë të gjitha konfliktet dhe mosmarrëveshjet që ka personi i cili është tentuar të vritet. Objektivi i atentatit është personi i cili ka mbetur i plagosur. Fatmirësisht është në gjendje të mirë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Të shumta janë pistat ku grupi hetues është ndalur te atentati ndaj Ardian Gjeloshit. Një pistë që është edhe me e besueshme për hetuesit ka të bëjë me aktivitetet e paligjshme ku ishte përfshirë Gjeloshi, i cili kishte krijuar edhe përplasje të forta më eksponentë të krimit në zonë. Në sitën e hetuesve po kalojnë edhe konfliktet që ai ka në lidhje me biznesin, me pjesëtarë të një fisi në fshatin Pllanë, të Lezhës.

Ndërsa po hetohet edhe për një hakmarrje të vjetër. Atë të ndodhur në vitin 2002.

Ky vëllai i Ardian Gjeloshit, Dritan Gjeloshi, ka qenë i përfshirë në masakrën ku mbeti e vrarë infermierja Marie Prenga. Ku thuhet se atëkohë autorët qëlluan mbi një kamionçinë dhe lanë të vrarë, nënën e katër fëmijëve. Ndërsa në këtë ngjarje mbeti i plagosur oficeri i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Kastriot Prenga, si edhe shtetasit Gjergj dhe Vitore Prenga. Lidhur mbi ngjarjen e 22 viteve më parë. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit që dënonte me 20 vite burgim, Dritan Gjeloshin, vëllain e Ardian Gjeloshit. Si personi që mendohet se i zuri rrugës kamionçinës me të cilën familja Prenga, po kthehej nga morti dhe hapi zjarr ndaj tyre, duke lënë të vdekur infermieren Marie Prenga dhe plagosur midis të tjerëve edhe policin Kastriot Prenga.  Ndërsa në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe vetë Dritan Gjeloshi, që pretendoi në mbrojtjen e tij se kishte qenë kamionçina me të cilën udhëtonte familja Prenga, që i kishte zënë rrugën, automjetit të tij tip ‘Benz’

“Ditën e kësaj ngjarje, Kastriot Prenga, së bashku me xhaxhain e tij Gjergj Prenga, nusen e xhaxhait Marie Prenga me dy motrat e tij, Gj. P dhe V. Gj kanë qenë në fshatin Gorre për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të gjyshit të Kastriot Prenga. Për nevojat të organizimit të kësaj ceremonie mortore, Kastriot Prenga me kërkesë të familjarëve të tij, ka shkuar për të marrë dërrasa në shtëpinë e shtetasit Gj. Gj, kjo me qëllim për të akomoduar njerëzit e të ndjerit që shkonin për ngushëllim. Gj. Gj, është përplasur me fjalë fyese me Kastriot Prengën pasi pretendonte se ky i fundit me detyrë polic, i ka keqtrajtuar fëmijët. Nga ku konsiston edhe motivi i kësaj ngjarje.

Pas përfundimit së ceremonisë mortore, Kastriot Prenga, i cili drejtonte kamionçinën, brenda së cilës në kabinë kishte me vete edhe 5 pjesëtarë të familjes, është nisur për t’u kthyer në shtëpi. Por rreth 1 km përpara se të dilnin në autostradë, automjetit të drejtuar prej tij, i është prerë rruga nga një automjet tjetër.  Nga ku dalë i pandehuri Dritan Gjeloshi, i cili ka gjuajtur me armë zjarri automatik në drejtim të kamionçinës. Ku për pasojë ka gjetur vdekjen Marie Prenga si dhe janë plagosur Kastriot Prenga, Vitore Prenga. Si dhe ka mbetur i plagosur edhe i pandehuri Dritan Gjeloshi, pasi është gjuajtur Kastriot Prenga, i cili kishte armë me leje. Ku është arritur në përfundimin se Dritan Gjeloshi, i ka prerë rrugën qëllimisht kamionçinës ku ndodheshin Kastriot Prenga dhe pesë pjesëtaret e familjes së tij”, thuhet në dosjen hetimore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco