VIDEO/ Pronari i shtëpive të hashashit tregon sekretet si të kesh suksese në këtë ‘biznes’

21:07, 20/10/2023
A+ Aa A-

Kultivuesit e kanabisit në të ashtuquajturat shtëpi të barit në Spanje, janë në pjesën më të madhe shqiptare.

Ne ishim në Tarragona, një qytet me 130 mijë banore, rreth një orë me makinë nga Barcelona.

Nga atje, para një jave ju treguam se si operohet në këto ambiente, ku kultivohet hashash i një cilësie të lartë.

Pas këtyre të rinjve që merren me mbarëvajtjen e bimëve të kanabisit, qëndrojnë gjithmonë pronarët që menaxhojnë shtëpitë e barit. Thuajse të padukshëm dhe tepër të kujdesshëm në punën që bëjnë, këta persona luajnë fijet e kultivimit dhe trafikimit të barit në të gjithë Spanjën, por edhe në vende të tjera të Europës.

Ky i ri është 28 vjeç, dhe ka rreth 12 vite që merret me kultivimin dhe trafikimin e hashashit. Gati gjysmën e jetës, kohë në të cilën ka lëvizur në disa shtete të Europës. Edhe pse mjaft i ri, ai ka eksperiencë të madhe në përgatitjen e shtëpive të barit.

Një nga sekretet e trafikantëve për të pasur një shtëpi bari të suksesshme, është vjedhja e energjisë elektrike dhe sistemimi sa më mirë i linjave, nëpërmjet paneleve tepër të sofistikuara.

Termi ‘rënie shtëpish’, nënkupton kapjen nga policia dhe sekuestrimin e të gjithë sasisë së drogës. Gjë që ka pasoja jo të vogla për pronarin.

Ndërsa në një shtëpi bari ku bima është e rritur, natyrisht që dëmi pas ndërhyrjes së policisë është disa herë më i madh. Por edhe dënimi për personin që kapet brenda shtëpisë.

Për pronarin e shtëpisë së barit, është shumë e rëndësishme gjetja e personave të besueshëm që do të punojnë brenda. Sepse janë ata që do të mbajnë peshën e gjithë punës për kultivimin e bimës.

Por jo gjithmonë këta persona janë të duhurit.

Për të pasur sukses në këtë biznes të paligjshëm, duhet të shtrish sa më shumë aktivitetin. Dhe ky person, edhe pse i ri në moshe, duket se ‘ka hyrë me kokë’ na kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Nga mbjellja deri te korrja e hashashit, ka një kohëzgjatje relativisht të shkurtër.

Dhe cilësia duhet demonstruar përballë klientit, gjë që ky person e bën edhe me ne.

Si në çdo zanat, edhe kultivimi i kanabisit ka mënyra të ndryshme për tu aplikuar.

Përvoja e gjatë, vit pas viti e ka sofistikuar së tepërmi procesin, të cilin ky i ri e ndan sipas metodave që përdoren nga trafikantët në shtete të ndryshme. Nga shpjegimi që sapo dëgjuam, duket se trafikantët shqiptarë ndajnë eksperiencat me njëri-tjetrin nga shteti ne shtet e nga kontinenti ne kontinent. Mbetet vetëm të organizojnë një Samit të kultivimit të hashashit në kushte shtëpie.

Paratë nuk dalin asnjëherë.

Sepse përtej jetës prej të pasurish dhe luksit të shfrenuar që mundohen të paraqesin në rrjetet sociale, këta të rinj kanë një tjetër jetë paralele, atë të paligjshmërisë, frikës se mos kapen nga policia dhe humbjes së të gjitha pasurive të bëra me diçka që nuk duhet t’i këshillohet askujt.

Sepse paligjshmëria nuk është stil jete, por ankth i përjetshëm....nëse nuk tërhiqesh në kohë.

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco