Vdekja e 3-vjeçarit/ Prokuroria nis hetimet, babai rrëzon deklaratat e mjekut

Vdekja e 3-vjeçarit/ Prokuroria nis hetimet, babai rrëzon deklaratat e mjekut

09:16, 06/10/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas ngjarjes së rëndë, ku 3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën pas një ndërhyrje kirurgjikale në klinikën dentare 'Splendent'.

Pas referimit të bërë nga policia, prokuroria ka sekuestruar kartelat klinike në QSUT, por edhe në klinikën private ku është bërë ndërhyrja. 

Kurse babai i 3-vjeçarit, mohon se fëmija kishte probleme me zemrën dhe publikon recetën ku mjeku kardio-pediatër Albert Koja ka shkruar se nuk është problem që fëmija ta realizojë ndërhyrjen në gojë.

Babai ngre pretendime se doza e lartë e narkozës i kishte dëmtuar 3-vjeçarit organet e tjera jetësore, si veshkat dhe mëlçia. Familjarët thonë se dentistja ka ndërhyrë në 14 dhëmbë.

Bledar Spahiu thotë se mjeku Roland Xhaxho gënjen. Ai shton se edhe përmes kamerave të bizneseve rreth e rrotull klinikës mund të vërtetohet se djali ka dalë në gjendje të rëndë dhe sipas tij i kanë rënë disa herë në telefon mjekut, por ai nuk është përgjigjur. 

Mjeku Roland Xhaxho ka dalë dje me një deklaratë për shtyp përmes të cilës thotë se fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme. Për këtë pretendon se ka sqaruar prindërit të cilët kanë firmosur edhe konsensusin. Kjo mënyrë e trajtimit sipas tij u zgjodh si pasojë e një defekti në zemër që kishe djali i mitur. Sipas mjekut, procedura ka qenë e zakonshme, rutinë sipas të gjitha protokolleve dhe pa asnjë problematikë të veçantë. Ndërkaq pretendon se 3 vjeçari kur ka dalë nga klinika ka qenë zgjuar në krahët e të atit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco