VIDEO-SYRI TV/ Nuredin Dumani 'tradhton' vëllain: Dashnor Dumani i përfshirë në vrasje

17:20, 21/09/2023
A+ Aa A-

Nuredin Dumani ka hapur një tjetër kapitull për Prokurorinë e Posaçme duke dëshmuar për herë të parë se vëllai i tij Dashnor Dumani, është përfshirë në vrasje. Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, i vëllai që ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë, është përfshirë në vrasjen e vëllait dhe xhaxhait të Erion Alibejt, duke shtuar se Dashnor Dumani mund të tregojë hollësi lidhur më këtë krim.

Nga SYRI TV

Deklaratat e Nuredin Dumanit janë bërë gjatë ballafaqimit me Fatos Gosën, një nga të arrestuarit e dosjes ‘Plumbi i Artë’, si informator në ekzekutimin e Andi Zylyfit në Peqin.  Dumani ka rrëfyer se Gosa ka pasur rolin e informatorit edhe në vrasjen e trefishtë në Bradashesh të Elbasanit ku u vra Endrit Alibej, xhaxhai i tij dhe një shtetas turk.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë i përfshirë në këtë atentat ka qenë edhe vëllai i tij Dashnor Dumani, teksa ky i fundit prej vitesh jeton në një vend të Bashkimit Europian. Në lidhje me këtë ngjarje Dumani ka treguar përballë agjentëve të BKH se është vëllai i tij që mund të japi sqarime më të hollësishme për këtë çështje.

Për Prokurorinë e Posaçme, ‘Plumbi i Artë’ vijon të krijojë dinamika, e si të mos mjaftonte kjo, tashmë është zbardhur se mes Nuredin Dumanit e Erion Alibejt ekzistonte një përplasje e panjohur, ndonëse njiheshin deri dje si bashkëpunëtorë në krime. I pari ekzekutor e tjetri porositës.

Kujtojmë se për Alibejn, Dumani kishte rrëfyer më herët se kishte porositur apo financuar vrasjen e Rigers Runajt dhe Emiljano Ramazanit, vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhiaj, si dhe të Anxhelo Avdiajt dhe Dorjan Shkozës në Durrës.

Por pavarësisht këtij bashkëpunimi, sipas Nuredin Dumanit, pikërisht vëllai i tij Dashnori vret vëllain e Erion Alibejt, Endritin, xhaxhain Arben Dylgjerin dhe turkun që i shoqëronte Erdal Duranay. SPAK ndërkohë pritet të verifikojë deklarimet për të shpallur në kërkim Dashnor Dumanin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco