VIDEO/ Dogji 15 hektarë pyje me një cigare

10:02, 27/08/2023
A+ Aa A-

Një person është arrestuar në zonën e Belshit nën akuzën e zjarrvënies së qëllimshme, një vepër penale që tashmë parashikon një dënim deri në 15 vite burg për autorët.

Shërbimet e Komisariatit të Cërrikut dhe Belshit, pas njoftimit për një vatër zjarri në fshatin Lisaj, kanë shkuar menjëherë në zonë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe për arrestimin e autorit.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të këtij rasti zjarrvënieje, shtetasit K. L., banues në Belsh.

Ky shtetas, dyshohet se për shkak se ka hedhur një cigare të ndezur, ka aktivizuar një vatër zjarri në tokën e tij dhe nga përhapja e flakëve, janë djegur 15 hektarë sipërfaqe pylli në fshatin Lisaj dhe sipërfaqe të tjera të mbjella me pemë frutore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco