Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

'Në këtë shtëpi do të bëhet siç them unë!' - Një histori e rrallë sot në gjykatë Babai i arrestuar në gjykatë sot më 24 gusht dhe tetë denoncueset

'Në këtë shtëpi do të bëhet siç them unë!' - Një histori e rrallë sot në gjykatë

12:38, 24/08/2023
A+ Aa A-

Nga Anila Hoxha.

Një histori e vështirë për t'u treguar.

I lashë pushimet mbas një telefonate që më njoftoi: “Nesër del para gjyqtares Majlinda Dogga në Tiranë, një nënë me shtatë vajzat e saj. Kërkojnë urdhër mbrojtjeje nga kryefamiljari sepse ai nuk pranon që të bijat të ndjekin shkollën.”

Kur po udhëtoja drejt Tiranës, mendova çdo version të mundshëm. Atë të disave që kam ndeshur në seanca gjyqësore, që nguten t’i martojnë bijat, të thyer nga paragjykimi dhe dobësia për t’i lënë të lira në jetën e tyre derisa ato të zgjedhin vetë.

Të parat mbërritën vajzat dhe e ëma. Ishin marrë në mbrojtje nga shteti.

Në fund sollën babanë, një 44-vjeçar, që mbahej përkrah nga një polic dhe duart i kish të kyçura në pranga.

Iu drejtua së madhes sapo e ndeshi në korridor: “ Bijë  - i tha, - kudo që të shkosh do të jesh vajza ime!”

Çifti u martua në vitin 2001. Çifti ishte në kërkim të një djali dhe sollën në jetë shtatë vajza. Pas çdo shtatzanie, e qara e foshnjës dukej se njoftonte sërish “linda vajzë”.

Megjithatë bijat nuk e zhgënjyen babën dhe nënën, të tëra me rezultate të larta në shkollë. Por gruaja, me sytë përtokë i përgjigjet gjyqtares se ndonëse u martua me një bashkëshort të përkushtuar, të cilin e ndihmonte ne biznesin privat që kanë, ajo kishte zë të dobët për të vendosur në familje.

“A është siç kanë deklaruar vajzat në Polici, se babai nuk lejonte shkollimin?” – pyet gjyqtarja që synon të jetë e qartë nëse bëhet fjalë për një zënkë ekonomike e për pasojë vajzat mbajnë anën e nënës.

Vajza e madhe, sot 20 vjeçe, ndjek një universitet të njohur në kryeqytet. Edhe e dyta. Aty shkëlqejnë.

Të tretën e morën të ndjekë gjimnazin dhe jetojnë së bashku. Po bëheshin gati të regjistronin të katërtën edhe atë në gjimnaz.

“Duhet të ikja në një intership në Itali dhe babai në grindje e sipër deklaroi “jo, nuk do shkosh - i pohon gjykatës, më e madhja.

“Shkolla është e rëndësishme për mua” përshpërit e reja.

 I ati përgjigjet: “Po shisja shtëpinë që të jemi bashkë në Tiranë, çfarë ju ka munguar?! Me këto duar e kam bërë natën ditë për ju.”

Por vajzat dëshmojnë se kur u zgjuan panë prindërit duke u grindur. E mandej duke u shtyrë me duar.

Në një moment babai bërtiste: “Në këtë shtëpi do të bëhet siç them unë!”

Ato hynë për t’i ndarë dhe ai e qëlloi njërën prej tyre me shuplakë.

Kur situata doli krejt nga kontrolli, vajzat i thonë gjyqtares se i rreshtoi dhe i pyeti: “A doni të shkoni në Tiranë?! Ikni!”

“ Ky ishte momenti kur babai doli nga shtëpia. Edhe për mua shkolla është e rëndësishme, edhe për motrat e mia” - i thotë gjyqtares vajza tjetër. Është e dyta që ndjek si e motra një universitet privat. Pranon që çdo javë babai dhe nëna udhëtonin nga qyteti i tyre për t’i takuar e për t’u kujdesur.

Por familja duhej bërë bashkë e shtëpia duhej shitur. Por babait ia kërkuan shumë lirë shtëpinë ku ato u rritën dhe ai nuk po e shiste dot me një çmim të arsyeshëm.

“Këtu do të hyja në kredi, sepse me aq para nuk plotësohej çmimi i një apartamenti në kryeqytet” – përpiqet t’i shpjegojë të shoqes në prani të gjyqtares.

Por ai ishte aq nervoz saqë u bë agresiv dhe e rrahu të shoqen. Pastaj të bijën. Pastaj ato u larguan në Tiranë.

Kur u kthye, ai shkoi në policinë lokale, e cila telefonoi gruan e megjithatë gruaja thotë:  “Nuk i tregova se ku gjendeshim, pasi kisha frikë prej tij”.

Nga data 22 gusht, kryefamiljari udhëtoi për në Tiranë, i kërkoi dhe nuk i gjeti. Shkoi sërish në Polici për të njoftuar ku dhe u arrestua, mbasi ishte denoncuar për dhunë në familje nga bashkëshortja dhe të bijat.

“Unë kërkoj urdhër mbrojtjeje – thotë gruaja e tij, nëna e fëmijëve. - Kishim vendosur t’i shkollonim vajzat në kryeqytet mbasi këtu shkollat janë më të mira se atje ku jetojmë, por ai ndërron vazhdimisht mendje. Kërkoj urdhër mbrojtjeje edhe për vajzat tona.”

Ai mbulon fytyrën me pëllëmbët plot kallo dhe shpërthen në të qara.

“ Kam duruar boll, nuk duroj më dot” – shpjegon zë mbytur 42-vjeçarja.

Gjykata vendos, burri iku në burg, nëna me shtatë vajzat dërgohen në një strehëz.

Cila është e vërteta?

Duart e të dy prindërve ishin plot kallo. Ata rritën bashkë shtatë vajza dhe që të shtata duhen shkolluar.

Në foto: Burri i arrestuar në gjykatë sot, më datë 24 gusht dhe 8 denoncueset.

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco