Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

Masakra në rrugë/ Policia me ‘dorë të hekurt’ vetëm pasi vdesin dy italianët

Masakra në rrugë/ Policia me ‘dorë të hekurt’ vetëm pasi vdesin dy italianët

12:27, 24/08/2023
A+ Aa A-

Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur këtë sezon veror si kurrë më parë. Lajmet e aksidenteve janë të shumta, çdo ditë, por Policia e Shtetit nuk e ka vënë ujin në zjarr deri tani.

Por ka mjaftuar vdekja e dy italianëve në një aksident rrugor në Sarandë, që të vijë një reagim i ashpër.

Në një njoftim zyrtar thuhet se: “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin dhe për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë”.

“Ndërkohë, është pezulluar menjëherë nga detyra Shefi i Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë, Nënkomisar A. Sh. Pezullimi i tij u bë në zbatim të nenit 209, të Rregullores së Policisë së Shtetit, për shkelje të rëndë të kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku humbën jetën 2 turistë italianë, konkretisht shtetasit D. D., 24 vjeç dhe V. T., 32 vjeç. Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik,” thekson më tej njoftimi.

Dy turistët italianë, Gritto Domenico dhe Vicenzo Tizziano humbën jetën tragjikisht në aksident. Motori me të cilin lëviznin nga Ksamili drejt Sarandës u përplas nga një mjet tip ‘Mercedes Benz’ që drejtohej nga një adoleshent.

Aksidenti u shënua rreth orës 03:00 të ditës së sotme, 24 gusht 2023, në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, në vendin e quajtur “Hidrovori”.

“Benzi”, drejtohej nga një 17-vjeçar që nuk e kishte mbushur moshën për të marrë patentën. Burimet thanë se makina i ka prerë rrugën motorit të turistëve. Për pasojë ndërruan jetë në vend dy turistët italianë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco