Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

EMRI/ 1 ton kanabis/ Zbulohet kush e drejtonte bandën shqiptare në Australi

EMRI/ 1 ton kanabis/ Zbulohet kush e drejtonte bandën shqiptare në Australi

10:24, 24/08/2023
A+ Aa A-

Zbulohet emri i shqiptarit, që mendohet se është kreu i një bande shqiptare, e cila operonte në Australi. Ai është Ditan Ndreu, 47 vjeç. Bashkë me të u arrestua edhe një kolumbiane, e cila kujdesej për bimët e kanabisit. Në total u sekuestrua 1 ton kanabis. Gazeta ‘The Age’ sjell shkrimin e mëposhtëm për operacionin

Një shtëpi e thjeshtë familjare në veriperëndim të Melburnit është në zemër të një vale krimi, dhune dhe droge që ka përfshirë Australinë.

Fasada është perfekte, një shtëpi e mirëmbajtur me një oborr të rregulluar mirë. Edhe koshat janë vënë me kujdes në rrugicë. Por i tradhton era e rëndë. Era e pagabueshme e kanabisit vjen nga brenda dhe përhapet kudo në rrugë.

Kur policia thyen derën, bimët e kanabisit në madhësinë e pemëve të Krishtlindjes gjenden pothuajse në çdo dhomë të shtëpisë.

Ky zbulim në vetvete nuk është i pazakontë duke pasur parasysh oreksin në rritje të banorëve të Melburnit për këtë bimë. Në vitin 2019 vlerësohej se 35 përqind e tyre kishin përdorur kanabisin gjatë jetës së tyre dhe rreth 11 përqind e përdorën atë gjatë vitit të mëparshëm.

Ajo që është ndryshe në këtë shtëpi, është se bimët tregojnë se si po ngrihet fuqishëm në pushtet mafia shqiptare, e cila ka përmbytur Australinë me drogë dhe ka shkaktuar një valë dhune.

Kjo ishte vetëm një nga pesë shtëpitë e bastisura nga njësia elitare policore, VIPER, si pjesë e një operacioni për të goditur mafian shqiptare.

Gjatë bastisjeve u kap një ton kanabis me vlerë të paktën 5 milionë dollarë- para që mund të ishin përdorur për të financuar aktivitete të rënda kriminale.

Detektivi i njësisë VIPER, Leigh Howse tha se sindikatat shqiptare të krimit po rrisin ndikimin në tregjet e kanabisit dhe drogës në Australi.

“Ajo që kemi parë 10 vitet e fundit në Australi është një oreks i ndjeshëm për drogat e varësisë, në veçanti për kokainën dhe metamfetaminën”.

“Të dhënat e inteligjencës tregojnë se kultivimi i kanabisit dhe fitimet që rrjedhin prej tij, përdoren nga grupet e krimit të organizuar për të financuar importin e drogave të tjera”.

Të dhënat e inteligjencës policore, të siguruara nga ‘The Age’ tregojnë se krimi i organizuar shqiptar është duke vënë nën kontroll kultivimin e marijuanës në shkallë të gjerë, duke dëbuar grupe më të vogla dhe më pak të dhunshme.

Fondet nga këto operacione po përdoren për të përmbytur tregun australian me kokainë të lirë, një lëvizje që policia beson se është e lidhur me të shtënat, sulmet dhe zjarrvëniet ndaj rivalëve të mafies shqiptare.

Bastisjet e fundit çuan në arrestimin e një personi që besohet se është kreu i bandës dhe një gruaje që mendohet se punonte si kujdestare për bimët. Të dy janë shtetas të huaj që kanë hyrë në Australi me viza të përkohshme.

Burri, një shtetas shqiptar 47-vjeçar, që jeton në Australi me një vizë të përkohshme, është akuzuar për pesë akuza të trafikimit të një sasie të madhe kanabisi dhe posedimit të produkteve të veprës penale, pasi oficerët zbuluan rreth 200 mijë dollarë të thata gjatë bastisjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco