Vlorë, burg për 60-vjeçarin që e goditi rëndë me thikë inspektorin e policisë

Vlorë, burg për 60-vjeçarin që e goditi rëndë me thikë inspektorin e policisë

11:55, 18/08/2023
A+ Aa A-

Gjykata e Vlorës i ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg”, 60-vjeçarit Theodhori Merkuri që goditi me thikë në qafë një inspektor policie, 25 vjeç, që ndërhyri për të shuar një grindje në Pilur.  Gjyqtarja Mirela Mishgjoni e dha vendimin për burg sipas kërkesës së prokurorit.

Theodhori Merkuri akuzohet për plagosjen e rëndë me rrezik për jetën të efektivit Redin Çaushaj mbrëmjen e 15 gushtit 2023.

Efektivi, me detyrë inspektor i Policisë së zonës së Lukovës, jashtë orarit të shërbimit, në mbrëmje vonë ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin dhe ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, por është goditur me thikë në qafë nga Thodhori Mërkuri.

Autori u gjet nga forcat e FNSH pas tetë orë ndjekjeje i fshehur në ish-repartin ushtarak të Pilurit. Bashkë me të u arrestua edhe një bashkëfshatar që nuk e kallëzoi krimin.

Efektivi Çaushaj pas sulmit u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale, e kaloi rrezikun për jetën.

Ngjarja sipas Policisë

"Rreth orës 23:00 të 15 gushtit 2023, te kthesa e fshatit  Pilur, disa shtetas po konfliktoheshin  fizikisht me njëri-tjetrin.

Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë R. Ç., 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, njëri prej tyre, shtetasi  Th. M., 60 vjeç, nga fshati Pilur, e ka goditur me thikë dhe për pasojë punonjësi i Policisë është në gjendje kritike për jetën.

Shtetasi Th. M. pasi ka goditur punonjësin e Policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira. Në ndjekje të tij janë vënë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, grupe të FNSH dhe të forcave operacionale të DVP Vlorë."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco