Kosovë, arrestohet biznesmeni Ridvan Muharremi

Kosovë, arrestohet biznesmeni Ridvan Muharremi

10:42, 18/08/2023
A+ Aa A-

Prishtinë -  Policia e Kosovës ka arrestuar afaristin Ridvan Muharremi. Ai ka dalë nën pranga nga lokali “Buke e zemër”, raporton RTK.

Avokati Mahmut Halimi ka thënë se klienti i tij është dërguar për intervistim në prokurorinë speciale dhe pastaj do të vendoset për lëshim ose jo të fletarrestit. 

"Unë me klientin tim, reagimin ia kemi drejtuar opinionit publik dhe kemi kërkuar prezencën e organeve të rendit. Atje do të shqyrtohen çështjet dhe do të zbardhen të gjitha gjërat”, tha Halimi.

Ai tha se ende nuk kanë një fletëarrest për Ridvan Muharremin.

“S'ka urdhërarrest, ka vetëm urdhër pë bastisje. I kam dorëzuar të gjitha materialet që i kemi përgatitur me kohë. Jemi përgatitur për të vërtetën. Absolutisht  nuk dyshoj te klienti”, theksoi tutje Halimi.

Policia aksion në shtëpinë dhe lokalin e Ridvan Muharremit

Policia e Kosovës ka filluar një bastisje te pronat, banesa dhe një lokal i afaristit Ridvan Muharremi.

Muharremi është pronar i lokalit “Bukë e Zemër”, i cili së fundi është përmendur rreth keqpërdorimit të rezervave shtetërore.

Sipas përgjimit të publikuar ditë më parë, Muharremi dyshohet se është ndërmjetësues i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe firmës nga Polonia, e cila s’i ka sjellë rezervat në Kosovë, pavarësisht pagesës që është kryer nga ministria e Rozeta Hajdarit. 

Po ashtu një çështje tjetër ka të bëj me disa akuza të Ndue Gjinit ndaj Ridvan Muharremit, për dëshmitarë katolikë kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kurse Ridvan Muharemi, menjëherë pas këtyre akuzave ka reaguar duke thënë se janë shpifje.

'Pas publikimit dje në media, në tribunalin e Hagës – dhomat e specializuara dhe kërkesës së avokatit mbrojtës të z. Hashim Thacit, për tu ndriçuar rasti i dëshmitarëve të montuar, të cilat janë  trillim dhe shpifjet e Ndue Gjinit dhënë në një intervistë në të cilën është njollosur emri im, ndjej të nevojës që ta njoftoj gjithë opinionin, se bëhët fjalë për shpifje të llojit më të rëndë dhe nivelit më të ulët njerëzorë, me prapavijë të përfitimeve, intrigave, shantazhimit dhe gjithçka tjetër të pandershme dhe jonjerëzore", tha ai.

Ai thotë se nuk ka reaguar deri për faktin e vetëm se i vetmi vend ku mund të shpjegohen shpifjet ka adresë dhe ato janë organet e rendit. 

"Ato shpejtë do të ndriçohen përmes procedurave ligjore, me bindjen se do të vërtetohet pastërtia ime morale, njerëzore të cilat me mund e sakrificë i kam ndërtuar dhe trashëguar nga të parët e mi, duke dhënë kontribut të pakursyer për të arritur deri te çlirimi i vendit. Kontributet e mia dhe të familjes time janë evidente, për kënd do që përpiqet ta vëjë në pyetje integritetin tim. Njoftoj opinionin se këto shpifje te turpshme do të ndriçohen përmes rrugëve ligjore dhe gjithsesi do të gjykohen për shqetësimet që me janë shkaktuar mua dhe familjes time deri tani", thuhet në reagimin e tij.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco