VIDEO/ Himarë: Arrestohet 60-vjeçari që goditi rëndë policin, ishte fshehur në ish-repartin e Pilurit

VIDEO/ Himarë: Arrestohet 60-vjeçari që goditi rëndë policin, ishte fshehur në ish-repartin e Pilurit

09:35, 16/08/2023
A+ Aa A-

Policia e Himarës ka arritur të arrestojë pas tetë orësh arrati, 60-vjeçarin Theodhori Mërkuri nga fshati Pilur, që goditi me thikë në qafë inspektorin e policisë që ndërhyu për të shuar konfiktin ku ai ishte përfshirë.  Ai ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në Pilur. Po ashtu, u arrestua edhe një bashkëfshatar i tij për moskallëzim krimi.

Nga ana tjetër, inspektori i policisë së Lukovës, Redian Caushaj është duke luftuar për jetën në spitalin e Vlorës. Gjendja e tij po monitorohet. Gjatë natës spitali bëri thirrje për dhurim gjaku.

Njoftimi i Policisë:

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Pilur, ku mbeti i plagosur rëndë me mjet prerës një punonjës policie 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, shërbimet e Komisariatit  të Policisë Himarë, shërbimet operacionale të DVP Vlorë dhe grupe të FNSH-së, kanë organizuar punën për kapjen e autorit.    

Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga 60-vjeçarin Th. M., i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur.    

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin Th. M., për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.   

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. 

Ngjarja/Rreth orës 23:00 të datës 15.08.2023, te kthesa e fshatit Pilur, disa shtetas kanë qenë duke u konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë, shtetasi R. C., 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, jashtë orarit të shërbimit, ka qenë duke kaluar në rrugë dhe ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.             
 
Gjatë përpjekjes së punonjësit të Policisë, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, shtetasi Th. M. e ka goditur me mjet prerës thikë punonjësin e Policisë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco