VIDEO-SYRI TV/ Korrupsioni me farmacitë, SPAK mbyll hetimet

15:51, 25/07/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme përfundon hetimet duke i kërkuar Gjykatës kalim në gjykim të dosjes së disa zyrtarëve të agjencisë së barnave të akuzuar për korrupsion. Ata konstatonin shkelje në farmaci, por përkundrejt rryshfetit i toleronin ato dhe nuk i regjistronin apo ti raportonin për masa administrative.

SYRI TV

SPAK ka përfunduar hetimet për një tjetër dosje korrupsioni duke i adresuafr GJKKO-së, kërkesën e kalimit për gjykim të saj. Luan Çiçi dhe Armando Luka akuzohen për “Korrupsion pasiv” kryer në bashkëpunim, ndërsa Besiana Xhelilaj Gega për “Shpërdorim detyre”. Prokuroria thotë se Çiçi dhe Luka, inspektorë të Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore kanë kërkuar shumën monetare prej 100.000 lekësh dhe kanë përfituar në mënyrë të parregullt shumën totale prej 60.000 lekësh nga shtetasi Andi Selxhaferi.

Ky i fundit ushtron aktivitet tregtar farmaci, ndërsa paratë iu kërkuan që të mos ndëshkohej për shkeljet e konstatuara gjatë inspektimit në subjektin në fjalë. Luan Çiçi dhe Armando Luka më datë 27.12.2022 mbyllën procedurën e inspektimit të pastër pa shkelje, pa masë administrative pasi kishin marrë nga Andi Selxhaferi shumën e parave. Ndërkohë, e pandehura Besiana Xhelilaj, me detyrë shefe e sektorit të inspektimit në AKBPM, pasi është vënë në dijeni për një rast të tregtimit të një medikamenti me pullë tjetër të ndryshme nga ajo e lëshuar nga autoriteti ku punonte, me çmim më të lartë shitje, në shkelje të ligjit nuk ka kryer detyrën e saj funksionale.

Edhe pse e ndodhur në dijeni të faktit të kundërligjshëm nuk ka kërkuar të merren masa për identifikimin dhe inspektimin e subjektit që e tregtonte dhe depos farmaceutike, por i ka dërguar mesazhe përfaqësuesit të depos që e importon duke i bërë të qartë se për raste të tjera të ngjashme ka marrë masa administrative, duke lënë të kuptohet se është duke i bërë një favor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco