U dhunua nga Rrajat/ Maja: Policia nuk më mori asnjë deklarim! Për videon që do u bëj unë, do flasë bota

12:27, 08/07/2023
A+ Aa A-

Jashar Maja, i cili u dhunua disa ditë më parë nga fisi Rraja, ka dhënë një intervistë për Klan News ku tha se gjithçka ndodhi pas denoncimeve për guroren në Borizanë që po i shkatërron shtëpinë. Ai theksoi se është dhunuar nga anëtarë të fisit Rraja.

Maja shprehet se pas ngjarjes policia nuk i ka marrë asnjë deklarim, por shikonin njërin-tjetrin në sy pasi nuk dinin çfarë të bënin.

Gazetari: Si u përballët me dhunën nga anëtarët e fisit Rraja?

Jashar Maja: Unë dhe djali i xhaxhait u takuam me inxhinierin e guroreve që ka Përparim Rraja. Po bisedonim për çështjen e minave se si të gjejmë një rrugë që të bëhen minat me një kriter më të butë, me e pa një rrugëzgjidhje. Tha këtë mundësi kam tha, nuk është çështja ime, por e pronarit. Porositëm kafet. Pa na ardhur kafet, kanë ardhur komplet fisi Rraja. Kemi njohur Përparimin, Xhelalin, Red. Nuk i kemi njohur komplet, por ai fis kanë qenë, njerëzit e tyre se nuk ka lënë kush t’i vëzhgojmë. Na kanë goditur me qyta arme, me shkopinj bejsbolli, kjo. Borxh nuk ia kemi. Kjo është bërë për shkak se kemi protestuar për punën e gurores. Kemi bërë denoncime në polici. Nuk na është dhënë asnjë rrugëzgjidhje. Kemi bllokuar rrugën, absolutisht asnjë rrugëzgjidhje. Veç ne na ka shoqëruar policia, ata jo. Shtëpitë i kemi të plasura që duken, verifikohen. Nuk është gjë që po e themi rrugës, është fakt. Shikoni shtëpinë si është shkatërruar. Çdo gjë është bërë për shkak të gurores. Ata kanë mbrojtje nga pushteti se nuk ka mundësi. Kanë shembur 150 shtëpi këtu për rrëzë mali dhe nuk reagon shteti. Nuk e di se ku është shteti. O të ngrihet të reagojë shteti, të dënohen personat që na kanë dhunuar, ose do të kthehet në vetëgjyqësi se nuk ka rrugëdalje. Edhe unë njeri jam.

Gazetari: Pasi ndodhi ngjarja, u lajmërua policia, çfarë ndodhi më pas?

Jashar Maja: Pasi kam ardhur në vetëdije kam tërhequr djalin e xhaxhait, kemi dalë në oborrin e lokalit. Kam marrë policinë në telefon, i kam thënë jam filani, jam në filan vend, na kanë goditur dhe kanë ardhur pas 2 orësh. Ka ardhur një patrullë që ka ndodhur rastësisht. Kemi shkuar në Fushë-Krujë. Aty na kanë vonuar prapë nja një orë. Nuk ishin të zotë të dilte policia në rrugë në Fushë-Krujë për të na çuar në Thumanë.

Gazetari: Kush jua dha ndihmën e parë mjekësore?

Jashar Maja: Ndihmën e parë mjekësore kemi shkuar tek spitali ushtarak.

Gazetari: Prej sa kohësh keni pasur probleme dhe shqetësime prej shpërthimeve të gurores?

Jashar Maja: Ka 4-5 muaj ky muhabet. Kemi bërë ankime, kemi bërë çdo gjë në qeveri dhe polici. Asnjë rrugëzgjidhjeje nuk na është dhënë.

Gazetari: Sa larg është gurorja nga fshati Borizanë që është dhe shtëpia juaj?

Jashar Maja: Me shtëpinë time është rreth 2, 300 metra. Me Borizanën mund të bëhet 1 kilometër. Kaq distancë ka. Janë edhe shtëpitë po në jug. Janë ca gurore që i kanë 50-60 metra shtëpiat. Unë mesa di, mesa kam njohur, që nuk lejohen kaq afër shtëpitë. Këtu nuk ka shtet. Me reagu shteti, këtu kishte reaguar policia. Shteti nuk është interesuar fare, a jam i gjallë, a jam i vdekur.

Gazetari: Çfarë ndodhi kur shkuat në komisariat, para se të shkonit në spital për të marrë ndihmën mjekësore? Ju morën në pyetje, dhatë deklarime?

Jashar Maja: Asnjë lloj pyetje, asnjë lloj deklarimi. Nuk mund të shkruante askush prej atyre. Rrinte policia grup. Shikonin njëri-tjetrin në sy që ça duhet të bëjmë. Erdhi fisi im, njerëzit e mi, i thamë zotëri na pri para me një makinë policie vetëm për të hapur rrugën se i dërgojmë vetë në spital, nuk kemi nevojë për shtet. Se nuk ka shtet. Jo se nuk kemi nevojë për shtet se shtetin e duam, kush është ai që nuk do ligj e shtet, por nuk ka. Na ka ardhur makina e policisë, kemi ecur me shoqërim, kemi shkuar në spital.

Gazetari: Thatë që ju janë dëmtuar shtëpitë, keni pasur dëmtime nga tërmeti apo vetëm nga shpërthimet?

Jashar Maja: Shtëpinë kam fakte se akoma nuk kam kryer punimet 100%. Kam hyrë në shtëpi pas tërmetit. Shtëpitë janë plasaritur komplet. Të hysh brenda janë shumë të dëmtuara. Kam marrë inxhiner privat dhe më ka thënë që është e pabanueshme.

Gazetari: Jeni marrë më pas në pyetje nga policia?

Jashar Maja: Nuk më ka pyetur kush se ku jam, ku jetoj. A marr frymë, a s’marr frymë, a jam i gjallë, a s’jam i gjallë. Se ligjërisht duhet të ishte policia e shtetit. Mesa di unë. Policia duhet të jetë non stop këtu. As telefonatë, as shefi i zonës, nga asnjë. Se janë të dobët para atyre. Tani më ka ngelur mua me u marrë me ata. Do të merrem. Sigurisht që do të merrem, sapo të ndihem mirë, të rregulloj punët e mia. Edhe të më gjejë shteti mua mbrapa se unë nuk kam shtet. Me pas shtet, të mbron shteti. Ai është me imunitet, do të mbroj veten se nuk kam ku shkoj. Do të mbroj fëmijët e mi.

Gazetari: Sa qëndruat në spital dhe si është gjendja shëndetësore e Bilbilit?

Jashar Maja: Deri mbrëmë ka pasur të vjella dhe marrje mendsh. Është në një klinikë private më të specializuar se spitali shtetëror që ka thënë Edi Rama është falas nuk ka pyetur kush fare. Si me shkuar bagëtitë në spital, jo njerëzit. Kjo është shëndetësia që ka thënë falas. Ne jemi fukarenj, ne jemi fshatarë, po nuk pate lek nuk të shikon kush me sy.

Gazetari: Pas ngjarjes duke qenë se kanë kaluar disa ditë, keni pasur komunikim me fisin Rraja, për të pasur një marrëveshje me ta?

Jashar Maja: Nuk kam marrëveshje me të. Dëmtimi që më ka shkaktuar, moralisht dhe ekonomikisht, do përgjigjet deri në pikë të fundit derisa të jetoj. Me Xhelal Rrajën dhe Përparim Rrajën nuk kam asnjë marrëveshje. Çfarë kam jug, veri, lindje, perëndim në këtë zonë o do rri unë, o ai se nuk ka shtet. Po të kishte shtet ata do ishin brenda. Se aty i kanë pasur dhe i kanë lëshuar. Në këtë zonë vetëm 1 gurore ka qenë vazhdimisht. Këto të tjerat kanë ardhur vitin e fundit. Pas 2013-ës e mbrapa janë shtuar guroret.

Gazetari: Sa banesa ka fshati? Sa janë dëmtuar?

Jashar Maja: Vetëm 20 shtëpi, 30 shtëpi janë të fisit tim. Janë të dëmtuara totalisht prej guroreve. E duruan tërmetin, por gurorja këtu plas vullkan. I plasin jashtë kritereve, me nitrat. Kemi video të nitratit që hidhet me një shpim, 50 kuintal nitrat. Ai kthehet në vullkan.

Gazetari: Punohet gjatë ditës apo dhe natën?

Jashar Maja: Gjatë ditës. Shpimet i bëjnë gjatë natës dhe shpërthimet ditën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco