SYRI TV/ Mushkonjat në SPAK, hetime për tenderin 1 mln euro, dyshime për shkelje të procedurave

13:56, 11/06/2023
A+ Aa A-

Tenderi i vitit 2019 mbi dezinfektimin e dezinsektimin e bregdetit shqiptar, ka çuar në SPAK disa zyrtar apo ish-zyertar të Institutit të Shëndetit Publik. Përveç Silva Binos, deklarime kanë dhënë edhe 4 persona të tjerë, ndërsa SPAK ka regjistruar procedim penal për këtë çështje. Teksa jemi zyrtarisht në sezonin turistik veror, ‘Ping-Pongu’ mes ISHP dhe Ministrisë së Brendshme ka lënë pezull miliona lekë fonde për të zhdukur shqetësimin e pushuesve dhe bizneseve për insektet.

SYRI TV

Një milion euro tender për dezinfektimin e mushkonjave, janë subjekt i hetimeve që po bën Prokuroria e Posaçme, çështje për të cilën, u pyet disa ditë më parë edhe shefja e departamentit të Epidemiologjisë, në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino.

Por gjatë kësaj kohe, përveç saj janë pyetur edhe të paktën 4 zyrtarë apo ish-zyrtarë të tjerë të ISHP-së, mes tyre shefja e sektorit të dezinfektimeve. Një prej kompanive të përfshira në garën për tenderin e 2019 prej 1 milionë eurosh, kallëzoi në SPAK pretendimet e saj lidhur me procedurat e tenderit dhe skualifikimin e nga gara. Ka dyshime, që përzgjedhja e kompanisë fituese, ka qenë në kundërshtim me kriteret e vendosura duke favorizuar të preferuarit.

Tenderi parashikonte një kontratë dy-vjeçare të dezinfektimit dhe desinsektimit, e cila ka përfunduar dhe tashmë nuk është finalizuar asnjë marrëveshje e re prej vitit 2021. Instituti i Shëndetit Publik dhe Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara pranë Ministrisë së Brendshme, kanë bërë ping-pong lidhur me përgjegjësitë dhe delegimin e kompetencave.

ISHP ka kërkuar që tenderin ta zhvillojë kjo agjenci, e cila nga ana saj ka kërkoi rishikimin e specifikave teknike. Vitin e kaluar, përplasja mes dy institucioneve la pezull tenderin rreth 80 milionë lekësh për dezinsektimin që duhet të ishte kryer që në muajin maj të vitit 2022.  Edhe këtë vit, askush nuk është kujtuar për procesin e dezinfektimit dhe dezinsektimit i cili duhet të kryhej që në muajin mars.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco