Arrestohet në Marok vrasësi i Ardian Nikulajt

20:41, 08/05/2023
A+ Aa A-

Policia e Shtetit njofton se është arrestuar në Marok, vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj. 

Ruben Saraiva, 28 vjeç, shtetas porgutez është prangosur nga policia e Marokut, në Rabat, me kërkesë të Interpol Tiranës. 

Autori i atentatit të bujshëm në Shëngjin të Lezhës, mesditën e 19 prillit, pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë ditët në vijim. 

"Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj. Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë. Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje", thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. 

***

Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua me 7 plumba, teksa ndodhej në lokalin e tij. 

Autori u largua me motor pas krimit.

Kamerat e sigurisë filmuan skenën e krimit, ndërsa pamjet më pas çuan në zbulimin e shtëpisë ku kishte qëndruar portugezi, ku u siguruan prova thelbësore. 

Shtëpia ishte e Emond Haxhisë, i cili kishte paguar një skuadër vrasësish nga Anglia, mes tyre edhe një femër, për hakmarrje ndaj Nikulajt, për llogari të fisit Lekstakaj me të cilët biznesmeni ishte në gjak. 

Sakaq, policia angleze ka arrestuar 4 nga bashkëpunëtorët në atentatin e bujshëm, bashkë me shqiptaro-britanikun Edmond Haxhia, ndërsa në ndërkim vijon të jetë vetëm një prej tyre. 

Ardian Nikulaj njihej si një biznesmen ndërtimi në zonë, ndërsa ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2021. 

Në zgjedhjet vendore të 14 Majit, Ardian Nikulaj kandidonte për anëtar të këshillit bashkiak të Lezhës me PSD-në, ndërsa vetë ai mbështeste publikisht kandidatin e "Bashkë Fitojmë", Pashk Gjoni. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco