VIDEO-SYRI TV/ Kapen 13.7 kg heroinë në Portin e Durrësit, me destinacion Italinë

10:05, 30/04/2023
A+ Aa A-

Një sasi e madhe heroinë është sekuestruar në Portin e Durrësit.

Bëhet fjalë për 13 kilogramë e 750 gramë të sekuestruara në një autobus të linjave drejt Italisë. Në pranga janë vënë pronari i firmës ‘Keli Travel’, Mikel Pici dhe shoferi i autobusit, Piro Rushi.

Heroina ishte ndarë në 26 pako të ndryshme të fshehura në dyshmenë e autobusit.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:   

Finalizohet operacioni policor i koduar ‘Terminali’, i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore të portit.

Falë kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, parandalohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të drogave të forta drejt Italisë.

Gjenden të fshehura në një autobus dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 26 pako me lëndë narkotike heroinë, me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë.

Vihen në pranga pronari i firmës së linjës së autobusëve dhe drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vjën e dytë, autobusin e linjës ‘Durrës-Milano’.

Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

-M. P., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve  ‘Durrës-Milano’;

-P. R., 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. P. iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.

Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij  rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’, kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco