SYRI TV/ Flet pronari i biznesit që u sulmua me armë, Ferhat Tuga: Policia nuk sekuestroi as kamerat

16:42, 21/04/2023
A+ Aa A-

Pronari i biznesit që u sulmua dy netë më parë në Gjormë të Kurbinit, thotë se nuk ka asnjë konflikt, teksa hedh akuza të forta ndaj autoriteteve për moszbardhjen e ngjarjes. Ferhat Tuga thotë se policia nuk denjoi as të sekuestronte kamerat e sigurisë, teksa rrëfen panikun dhe frikën nga sulmi i paprecedentë me kallashnikov. Dëmet janë rreth 8 mijë euro, por pronarin e biznesit e shqetëson më tepër siguria.

SYRI TV

Ferhat Tuga, biznesi i të cilit u bë shoshë nga plumbat e kallashnikovit dy ditë më parë në Gjormë të Kurbinit ka thyer heshtjen. Ai ankohet për moszbardhjen e ngjarjes nga forcat e rendit, teksa thotë se drejtori vendor i ka thënë se nuk e pret dot pasi po merrej me vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin.

Tuga pretendon se policia, njoftoi ngjarjen pasi kishin kaluar 24 orë dhe se nuk ka sekuestruar as kamerat e sigurisë, për të ndjekur lëvizjet e autorëve.

Dëmi material është diku tek 8 mijë euro sipas tij. Por nuk e shqetëson kjo më shumë se sa frika dhe mënyra se si është sulmuar.

Fillimisht zhurma e të shtënave i ishte dukur si zhurmë fishekzjarresh, por më pas kishte konstatuar sulmin. Ai thotë se në Shqipëri nuk ka shtet, teksa tregon frikën dhe panikun që i është shkaktuar.

Teksa kërkon drejtësi dhe çuarjen prapa hekurave të autorëve, Tuga rrëfen se kamerat e biznesit dhe të banesës së tij, kanë konstatuar mbërritjen e autorëve vetëm 5 sekonda, më pas është ndërprerë rryma elektrike.

Policia e Lezhës njoftoi të enjten në darkë ngjarjen, 24 orë pasi kishte ndodhur, duke thënë se e ka identifikuar autorin, por që për shkak të hetimit, nuk bën të ditur emrin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco