Ekuador, ekzekutohet dëshmitari kyç në hetimin kundër presidentit Lasso për lidhjet me mafian shqiptare

Ekuador, ekzekutohet dëshmitari kyç në hetimin kundër presidentit Lasso për lidhjet me mafian shqiptare

13:35, 01/04/2023
A+ Aa A-

Ministri i Brendshëm i Ekuadorit konfirmoi të premten vrasjen e biznesmenit Rubén David Chérrez, i cili ishte një lojtar kyç në hetimin kundër presidentit Guillermo Lasso për lidhjet e tij të dyshuara me mafian shqiptare.

Ministri Juan Zapata njoftoi se Policia Kombëtare e Ekuadorit ka vendosur një ekip të specializuar për të gjetur përgjegjësit për vrasjen e biznesmenit ekuadorian të njohur me lidhjet e tij me rrethin familjar të Presidentit Lasso, shkruajnë mediat vendase.

Policia e Ekuadorit bëri me dije se akti kriminal ka ndodhur mëngjesin e së premtes në resortin Punta Blanca, që ndodhet në provincën e Santa Elena, kur persona të armatosur kanë hyrë në vend, duke vrarë biznesmenin dhe tre persona të tjerë.

Mediat lokale raportuan se të vdekurit ishin tri burra dhe një grua dhe se forcat e policisë ende nuk e dinë identitetin e të vrarëve.

Biznesmeni Rubén Cherres u bë i njohur si pasojë e skandalit të korrupsionit në kompanitë publike dhe lidhjeve të supozuara të qeverisë me mafian shqiptare të zbuluar nga media dixhitale La Posta.

Informacioni i publikuar nga media ekuadoriane nxiti hetimet që çuan në procesin e fajësimit që Asambleja Kombëtare e Ekuadorit po promovon kundër Presidentit Guillermo Lasso.

Raporti i Njësisë Kundër Narkotikëve të Policisë Kombëtare, i njohur me emri "León de Troya", i zbuluar nga La Posta, ekspozonte  marrëdhëniet e dyshuara të qeverisë me krimin e organizuar nëpërmjet Rubén Cherres.

Po kështu, dokumenti tregon se biznesmeni së bashku me partnerët e tij do të kishin financuar fushatën e Lasso-s për president në vitin 2021 me të paktën një milion e gjysmë dollarë./Syri.net

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco