Klosi mesazhe me sanitaren 1 ditë para arrestimit, zbardhet ekspertiza e telefonit të Dobit

17:11, 10/03/2023
A+ Aa A-

Ekspertiza telefonike e aparatit celular të Rozeta Dobit provon deklarimet e kësaj të fundit se deri në momentin e arrestimit, ka patur komunikime me ish-zyrtaren Alda Klosi. Burimet konfirmojnë se biseda e fundit mes tyre, ka qenë më 6 janar të këtij viti, 25 ditë pasi Alda Klosi e kishte kallëzuar për vjedhjen e banesës. Prokuroria e kryeqytetit, ende nuk i jep përgjigje pyetjes, nëse ka qenë vjedhje apo inskenim, duke treguar hermetizëm rreth mesazheve që ka zbërthyer në whatsapp.

Nga SYRI TV

Ish-zyrtarja e qeverisë Alda Klosi kishte komunikim me sanitaren që e akuzon për vjedhje Rozeta Dobin, 21 ditë pas pretendimit se e kishte vjedhur. SYRI TV mëson se ka përfunduar ekspertiza e aparatit celular të sanitares teksa janë transkriptuar edhe bisedat në Whatsapp mes kësaj të fundit dhe punëdhënëses Alda Klosi.

Biseda e fundit mes tyre mban datën 6 Janar të këtij viti, vetëm një ditë përpara se Rozeta Dobi, bashkë me të birin të përfundonin në pranga, asokohe, për grabitjen e banesës së ish-zyrtares.

Teksa në procesverbalin e Policisë, rezulton se Klosi kishte kallëzuar në Komisariatin nr. 2 në Tiranë, grabitjen në shtëpinë e saj më 15 dhjetor, madje u kishte thënë agjentëve se dyshimet i kishte tek sanitarja e punësuar tek ajo prej 5 vitesh.

Në këtë pikë, ku evidentohen data dhe rrethana të hetimit, Prokuroria e Tiranës, shprehet e rezervuar se çfarë përmbajnë mesazhet e shkëmbyera deri më 6 Janar mes sanitares dhe ish-zyrtares.

Nëse provohet në këto mesazhe, vërtetësia e deklaratës së njërës palë apo tjetrës. Dobi thotë se rreth 600 mijë euro të gjetura në banesën e saj, i përkasin Alda Klosit, dhe se gjithçka ishte një inskenim mes tyre, për t’ia atribuar bashkëshortit të ish-zyrtares, me të cilën kishte konflikte.

Ndërkohë, që vetë Klosi, pranoi posedimin e 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve, por jo pjesën tjetër, që ishte edhe shuma më e madhe, që u gjetën në tubin e aspirimit.  Në fillim të këtij muaj, Prokuroria e Tiranës ballafaqoi Klosin dhe Dobin, por ato vijuan të mbajnë qëndrime të njëjta. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco