Ekzekutimi mafioz i Edmond Papës, babi i autorit po hetohet nëse ndihmoi të birin...

Ekzekutimi mafioz i Edmond Papës, babi i autorit po hetohet nëse ndihmoi të birin...

09:57, 06/01/2023
A+ Aa A-

Ekzekutimi mafioz i Edmond Papës ka hyrë në një tjetër fazë hetimi.

Përveç implikimit të të atit të djalit të arrestuar, i cili është edhe punonjës i Policisë së Shtetit, ka dyshime që Alban Velo dhe Andrea Bode, i cili në fakt rezulton me emrin e vërtet Ervin, të jenë paguar nga një person i tretë për ekzekutimin e biznesmenit nga Kurjani, Edmond Papa. Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë marrë në duar hetimet e efektivit të Policisë, babaI i të arrestuarit dhe të akuzuarit kryesor për ngjarjen e 16 dhjetorit.

E ndërkohë, Prokuroria po verifikon pasuritë e Velos polic dhe të birit organizator i vrasjes së Papës, AMP-ja ka nisur verifikimin dhe hetimin e përfshirjes së efektivit në ngjarjen e rëndë.

Edhe pse ende nuk dihet se si do ta hetojë kjo agjenci implikimin e Velos me të birin në ngjarjen e rëndë, ka dyshime të arsyeshme që i ati polic ta ketë ndihmuar të birin të largohet i qetë nga vendi i ngjarjes, mbase edhe duke përdorur miqtë e tij në Policinë e Shtetit. Edhe pse ngjarja dyshohet që është kryer në kuadër të një grupi kriminal, ende ngjarja ka mbetur në duart e Prokurorisë së Tiranës dhe të AMP-së pa kaluar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.

Hetimet dhe dyshimet

Alban Velo, i riu nga Përmeti që u arrestua si personi që organizoi eliminimin fizik të Edmond Papës me 16 dhjetor në Selitë, mësohet se ka refuzuar të ketë lidhje me vrasjen. Madje, ai ka bërë me dije se nuk ka qenë në Shqipëri në kohën kur pretendohet nga Prokuroria dhe Policia se ai është fiksuar me makinë nëpër rrugët nga kalonte Papa në Sarandë dhe në zonat e tjera. Po ashtu, madje pretendohet se i riu përmetar ka qëndruar për më shumë se tre orë edhe në zonën e Selitës dhe të Komunës së Parisit ditën e ngjarjes.

Të dhënat kanë dalë nga qindra orë filmike të kamerave të sigurisë të të gjithë zonës dhe itinerareve të ditëve të fundit të jetës së biznesmenit nga Kurjani i Fierit. I riu i arrestuar me 1 janar ka pretenduar gjatë rrëfimit të tij para grupit hetimor se ka qenë në Firence për katër ditë, nga data 10 deri me 14 dhjetor dhe jo në vendet ku pretendon Policia dhe Prokuroria. Po ashtu, ai duke mohuar pjesëmarrjen në aktin e rëndë, ai ka bërë me dije se nuk ka pasur asnjë njohje me Papën, ndërkohë që ai rezulton të jetë mik i viktimës së sulmit me minë të telekomanduar në afërsi të TEG-ut në verën e vitit që lamë pas.

Duke qenë se Velo bashkë me autorin e krimit që rezulton të jetë biznesmen, së paku në letra, Ervin Bode, kanë mundur të largohen pa gjurmë nga vendi i ngjarjes, prokuroria dyshon se ka qenë pikërisht i ati i Velos, efektivi i Policisë ai që ka mundësuar humbjen e gjurmëve të dy personave që i morën jetën Papës. Por, do të jenë hetimet, përgjimet dhe shembja e alibisë së Alban Velos që do të ndihmojë hetuesit të hedhin dritë mbi atentatin, ngjarje e cila mund të ndihmojë në zbardhjen e të paktën tri ngjarjeve të tjera të bujshme, që nga vrasja e Aleksandër Sadikajt me minë të telekomanduara e deri te vrasjet e Athinës, ku në dy atentate u vranë tre shtetas shqiptar, që të tre njohje dhe lidhje e personave të përfshirë në dy atentatet e Tiranës. Megjithatë, do të jenë edhe hetuesit grekë të cilët do të jenë në bashkëpunim me prokurorët tanë për të mundësua zbardhjen e katër ngjarjeve me 5 viktima, të gjitha të kryera në mënyrë mafioze.

Vrasësi

Ditën e djeshme kanë dalë në dritë të tjera detaje për shtetasin Andrea Bode, i cili është shpallur në kërkim si ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa. Sipas burimeve për mediat, 44-vjeçari, i cili më herët ka përdorur dhe emrin Edvin, ka lindur në Berat dhe është banues në Tiranë, si dhe aktivitetin e biznesit e kishte në Korçë. Policia dyshon se ai mund të jetë larguar jashtë vendit, ilegalisht pasi në sistemin TIMS nuk figuron që të ketë dalë në ndonjë nga pikat e kalimit kufitar. 44-vjeçari njihet edhe si Edvin Bode, emër të cilin e ka ndërruar disa vite më parë.

Bode është biznesmen në qytetin e Korçës pasi ka në pronësi një kompani që merret me import dhe eksport, tregtim me shumicë dhe me pakicë të ujit të pijshëm, depozitimin dhe transportin e ujit të pijshëm dhe pijeve të tjera joalkoolike. Në këtë ngjarje, Bode dyshohet është ndihmuar nga Albano Velo. Policia dyshon se krimi mund të ketë lidhje me vrasjen e Aleksandër Sadikajt në atentatin me tritol të qershorit të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut. Bode dhe Velo rezultojnë të kenë njohje me Sadikajn, por nuk është ende e qartë lidhja apo konflikti që mund të kenë pasur Sadikaj dhe Papa me njëri-tjetrin.

Policia nuk përjashton edhe mundësinë që ata të jenë paguar për vrasjen e biznesmenit. Albano Velo u arrestua më 1 janar në Rinas, si porositës i vrasjes së Edmond Papës, por ai mohon përfshirjen në ngjarje. Edmond Papa u ekzekutua me 9 plumba në një lokal në rrugën “Fadil Bodinaku” pasdite e 16 dhjetorit. Menjëherë, u dërgua në Spitalin e Traumës, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco