Sulmi kibernetik nga Irani/ Dështon hetimi për nxjerrjen e sekreteve shtetërore

Sulmi kibernetik nga Irani/ Dështon hetimi për nxjerrjen e sekreteve shtetërore

09:35, 01/12/2022
A+ Aa A-

Sulmi i hakerave nga Irani, që praktikisht rrëzoi shtetin kibernetik dhe nxori në shesh sekretet shtetërore që nga paralizimi i sistemit TIMS dhe deri tek emailet e kryeministrit Rama duket se do të kalojë pa asnjë ndëshkim në administratën shtetërore.

Një nga skandalet më të mëdha në vend, që do të prodhonte masa të ashpra në lidhje me sigurinë në çdo vend normal është katandisur në një dosje qesharake të hartuar nga prokurori Bledar Valikaj, bashkëshort i deputetes së PS-së, Ermonela Felaj.

Akuza: Nuk i bënë “update” antivirusit

Hetimet nuk kanë shkuar shumë lart në hierarkinë shtetërore, megjithëse në vitet e fundit llogariten mbi 100 milion euro tendera për Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Sipas dosjes hetimore, fajtorët janë 5 punonjës të Ministrisë së Brendshme dhe DAP dhe faji i tyre ishte se nuk azhornuan sistemet antivirus, siç ishte parashikuar në rregullore.

Konkretisht punonjësit e IT-së, Alketa Sulo, Altin Sallaku, Rudina Llagami, Igli Lubonja dhe Albi Gjeka duhet të kërkonin raportim nga operatori ekonomik që ishte përgjegjës për sigurinë në faqen e administrata.al edhe për antiviruset që përdoreshin për mbrojtjen e kësaj faqeje.

Sipas dosjes hetimore sulmi u sponsorizua nga qeveria iraniane, kryesisht nga ministria e inteligjences dhe garda revolucionare.

Qëllimi i Iranit, sipas prokurorit Valikaj ishte të shkatërronte sistemet, të paralizonte shërbimet ndaj qytetarëve dhe të krijonte kaos në shoqëri.

Hakerimi fillestar është kryer në 21 Maj të vitit 2021, kur në sistemet shqiptare u vodhën të dhënat e para.

Prokuroria del bllof përballë gjykatës

Por sikur të mos mjaftonte ngurrimi i prokurorit Valikaj për të hetuar në nivelet e larta të administratës, gjykata i ka dhënë një goditje të dytë. Kërkesa e tij për “arrest shtëpie” për 5 punonjësit është rrëzuar dhe gjykata ka vendosur një masë më të lehtë për ta “detyrim paraqitje”.

Shkon drejt mbylljes një nga skandalet më të mdha shtetërorë të viteve të fundit, që shtoi pasigurinë për të dhënat personale mes qytetarëve. Të gjitha pasojat e sulmit kibernetik, që nga paralizimi i E-Albania e deri tek informacionet sekrete të policisë ishin bashkuar në një dosje hetimore, që duket se do të mbesë pa ndëshkimin e përgjegjësve kryesorë, që nga drejtues të AKSHI-t e deri tek nivelet e larta të policisë.

Ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin

Në Shtator të këtij viti, kur sulmet kibernetike u konfirmua se vinin nga Irani, qeveria shqiptare vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet. Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike diplomatët iranianë boshatisën ambasadën e Iranit në Tiranë dhe u larguan nga vendi.

Godina u rrethua me shiritin policor dhe iu nënshtrua procedurave të kontrollit. Forca të shumta policie dhe RENEA hynë brenda godinës së boshatisur nën objektivin e kamerave.

Dëmi që u shkaktua nga sulmi kibernetik u konsiderua tepër i rëndë, por në kontrast me rëndësinë e situatës, prokuroria shqiptare duket se e ka konsideruar këtë një dosje të lehtë, që nuk shkon më larg se disa punonjës të thjeshtë.

Punonjësit e akuzuar për shpërdorim detyre

Alketa Sulo – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

Altin Sallaku– Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

Rudina Llagami – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

Igli Lubonja– Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

Albi Gjeka– Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike./Lapsi.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco