Vdekja e mistershme e Shahes 'së luleve', i shoqi nën akuzë dhe dyshimet

Vdekja e mistershme e Shahes 'së luleve', i shoqi nën akuzë dhe dyshimet

08:13, 06/10/2022
A+ Aa A-

Gazetarja e kronikës Anila Hoxha i ka kushtuar vëmendje, rastit të vdekjes së mistershme të zonjës Shahe Lika ose Shahes së luleve, për të cilin i shoqi pretendoi se kishte vrarë veten.

Postimi i plotë nga gazetarja, Anila Hoxha:

"Në rininë e saj kishte qenë mësuese midis fshatrave Novoselë – Shishtavec në Kukës. Por kur në 1995 u zhvendosën nga fshati i saj i lindjes për një jetë më të mirë, kryefamiljari i diktoi se nuk duhet të dilte më nga shtëpia, se ai ishte burri dhe se duhet të bëhej ashtu siç urdhëroi. Ashtu ndodhi.

Me këtë rol të imponuar, jo shumë larg nga kryeqyteti shqiptar, çifti u vendos në Kamzë me fëmijët për të jetuar pothuajse dy dekada në një realitet të ri, tek i cili modelet kacafyten dhe e vjetra me të renë kundërshtojnë njëra –tjetrën, shpesh nuk përshtaten dhe sidomos nuk bashkëjetojnë. Gjithsej 33 vjet martesë, herë të lumtur dhe herë të thyer.

Me kalimin e kohës fëmijët u rriten dhe siç pritej, emigruan në Angli, Itali e Gjermani. Çifti mbeti vetëm, për të dy erdhi ora për të mbetur me njëri-tjetrin, por pa njëri tjetrin. Me një boshllëk midis tyre që gjatë viteve ishte zgjeruar dhe kishte marrë një përmasë të tillë që i pat larguar akoma më tej. Distanca ishte bërë e pamatshme. Kishin pasur gjatë martesës shpërthime dhune dhe familjet si paqeruajtëse i kishin balancuar vazhdimisht marrëdhëniet, ndonjëherë duke predikuar durim e ndonjëherë duke ua tërhequr veshin.

Por mbërrinte një pikë që komunikimi mbyllej me dhunë, ai ngrinte dorën dhe e vinte poshtë; ajo për njëmijë arsye që i dinte vetëm ajo nuk e mendoi asnjëherë divorcin. Qëndroi.. dhe këtë hendek mes bashkëshortit që ndërkohë iu dha i tëri alkoolit, ajo mbas fëmijëve që u larguan, gjeti një tjetër arsye. Iu përkushtua me dashuri, nënës së tij. Ishte e vetmja që u kthye në një urë mes të dyve. Një humnerë e frikshme për t’u mbushur, që ishte transformuar në një tokë të rrëshqitshme për të dy.

Ajo u dha mbas luleve. I shiste poshtë shtëpisë private me një buzëqeshje që ishte po aq shpërthyese sa edhe lulet që çelnin. Ai pas pijes, që po e tërhiqte si një magnet deri aty sa përpos saj po jepte shenja se po humbiste edhe fëmijët.

"Ishte duarartë" - thotë i vëllai Sami Bytyçi.  Me një zë të ndrojtur, burri nga Kukësi pret jashtë dyerve të Gjykatës së Apelit nëse ish-kunati do ta lërë burgun apo jo. Akuza ndaj të dyshuarit i ngjan e paarsyeshme. Nuk tregoi që gruaja u vetëvra. Ai e njoftoi si një vdekje natyrale, që megjithëse plot me kundërthënie nuk bëri askënd që të dyshojë përpos familjes së prindërve të gruas

“Ajo pëlqente lulet, ai merrte paret nga lulet që ajo shiste. Motra ankohej me buzëqeshje. Më thoshte o vëlla kam këtë hall dhe e thoshte duke qeshur, më ka rrahur tregonte. I thosha kunatit lëre alkoolin se do kesh pasoja, do mbetesh pa shtëpi e pa fëmijë e pa grua. Nuk e kam besuar që do të ndodhte deri në këtë masë”.

Bytyçi flet për vrasje, akuzon dhe kujton duke u kthyer ndër vite megjithëse s’di të shpjegojë se si në 33 vjet asnjë prej tyre nuk i zgjati dorën Shahes. Provat flasin për një çështje të thjeshtë sipas Prokurorisë së Tiranës, një histori familjare që rreket midis moskallëzimit dhe fshehjes së të vërtetës. Akuza është e bindur se Servet Lika për motivet që i di vetëm ai, mbasi e gjeti të shoqen të vetëvarur, e zgjidhi nga trarët, njoftoi motrat e tij, pati kohë që për mortin të njoftojë të gjithë të afërmit dhe të fundit familjen e gruas. Kur vëllezërit e Shahes u vunë në dijeni për vdekjen e papritur, ata menjëherë dyshuan. Madje më shpejt erdhi dyshimi se lotët.

Servet Bytyçi kujton: “Në orën 2 e gjysmë u thashë kushërinjve kujdes, do shkojmë vetëm ne burrat, pa gratë, se kjo nuk është vdekje natyrale. Nga se i erdhi vdekja motrës - e pyeta, më tha: Ja ishim duke pirë kafe dhe i thashë hajde Shahe pi kafe. Nuk pranoi. Iku në shtëpi. Pas pesë minutash e gjeta duke u dridhur dhe u mundova t’i jap ndihmë, por ajo vdiq. - I thashë, po të pyes për herë të fundit nga se i erdhi vdekja motrës, se ne duhet ta dimë nëse i erdhi nga Zoti apo nga robi - ripërsërit vëllai në prag të të dyzetave.

Familja e Shahes së luleve, gruas që qepte rroba e lulëzonte duke buzëqeshur, ka disa arsye përse dyshon. Gruaja u pat larguar në qershor të këtij viti mbas një episodi të dhunshëm që i pat vënë kapakun çdo gjëje. Kishte tentuar të shkëputej pa drama e zhurmë edhe herë të tjera dhe në fund iku prej të shoqit pa divorc dhe pa denoncim në Polici. Me gjithë këto ndodhi ajo deshi t’i ruajë fytyrën të shoqit që mos ta arrestonin. Ajo e di se përse.

Nga qershori deri në gusht ajo qëndroi tek të afërmit. “Deshi një largim të butë dhe jo të egër - e shpjegon i vëllai. Por njeriu për të cilin ajo nuk arriti t’ia zbusë zemrën, babai i fëmijëve, ia përdori pikën më të dobët që ajo kishte, shpirtin dhe dhembshurinë.

“Më 28 gusht ai telefonon vajzën dhe i thotë thuaji mamit të kthehet se po më vdes nëna e të jetë këtu” thotë një tjetër i afërm i Shahes. Gruaja nuk u mendua gjatë, u kthye, për një tjetër grua, nënën e burrit të saj. Ose edhe për të shoqin, për t’i qëndruar pranë në ato çaste të vështira. Kushedi. E mori këtë vendim, ndoshta pa e ditur se katër ditë më vonë ajo do vdiste. U kthye atje, në shtëpinë nga iku vrullshëm e pas këtij vendimi jetoi vetëm katër ditë.

Shkresat e prokurorisë tregojnë se ajo është vetëvrarë. Të afërmit e familjes ku ajo qe vajzë këmbëngulin se trupi i saj qe plot me shenja dhune dhe ata janë të bindur për një krim.

Një dëshmitar thotë se nuk ekziston mundësia që Shahe t’i ketë dhënë fund jetës, aq më tepër me një shall. Një tjetër aludon se vendi ku pretendohet që u vetëvar Shahja ishte ende me pluhur e që tregon se as koha se ka trazuar pluhurin.

Një tjetër se dëgjoi britma dhe lutje për ndihmë. Ishte zëri i Shahes - pëshpërit - por mbase nuk e kam dëgjuar mirë - shton.

Në këtë tymnajë, burri i saj Shefqet Lika, mosha 56 vjeç, që gjendet në burg e di se çfarë ka ndodhur. Ai.

Mbase, por jo mbase: e sigurt që edhe fqinjët kanë qenë dëshmitarët dhe rrëfyesit e një vdekjeje dhe të një morti që kish kohë që pat rënë në atë familje përmes dhunës, përmes mosrespektit, përmes urrejtjes.

Të vërtetën e di edhe Shahe Lika. 54 vjeçe. Por ajo nuk mund të flasë, mbasi ka vdekur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco