Ngecin hetimet: Shpërthimi me eksploziv, mesazh për familjen Stafuka

Ngecin hetimet: Shpërthimi me eksploziv, mesazh për familjen Stafuka

10:17, 24/01/2022
A+ Aa A-

Kur kanë kaluar 48 orë nga sulmi me lëndë plasëse në drejtim të familjes Stafuka, policia nuk ka asnjë person të dyshuar për këtë ngjarje. Mbi 10 persona janë shoqëruar në ambientet e policisë, shumica si të dyshuar, ndërsa të tjerët sepse kishin karakteristikat e personit të fiksuar nga kamerat e sigurisë në momentin e vendosjes së lëndës plasëse.

Por, pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë sërish të lirë, duke e bërë dhe më të vështirë zbardhjen e kësaj ngjarjeje, por edhe motivin e sulmit.

“Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person rreth 1.77 cm të gjatë, me kapuç, më maskë Covid-i dhe që zbriti nga një makinë e bardhë. Nëpërmjet këtyre pamjeve filmike, po përpiqemi të gjejmë edhe autorin. Por nga personat që kemi shoqëruar, mbi të gjitha të dyshuarit, karakteristikat nuk ngjasojnë me personin që kemi në pamjet filmike. Ne po punojmë dhe kemi shumë besim se gjatë ditëve në vazhdim do të kemi rezultate konkrete”, thanë burime nga grupi i hetimit për gazetën “Panorama”.

Pretendimi

Vendosja e eksplozivit në derën e dyqanit të familjes Stafuka konsiderohet si masazh për kryefamiljarin Naimin, i cili pak kohë më parë ka folur në media në lidhje me zhdukjen e vëllait të tij, Enverit, që rezulton i zhdukur prej vitit 2015. Naim Stafuka thotë se nuk mund ta drejtojë gishtin askund, por ka dyshimi që sulmi me lëndë plasëse të jetë një mesazh për deklaratat e tij, duke treguar personat me të cilët shoqërohej asokohe Enveri.

“Vetëm sa kemi hapur kamerat, as gjë tjetër, autori është njëri me kapuç dhe kapele me makinë të bardhë, zbriti nga makina vuri tritolin aty dhe iku. Është një person i gjatë, por nuk kuptohet se kush është. Është me kapele dhe maskë anti-COVID. Nuk jam i sigurt se kush e ka bërë, por intervista për vëllanë që më ka humbur edhe mund të ketë ndikuar. Unë borxh s’i kam askujt. Konflikt me njeri s’kam, sepse rri gjithë ditën me punët e mia”, ka deklaruar Naim Stafuka.

Rrëmbimi i Enver Stafukës

Enver Stafuka është rrëmbyer në shkurt 2015. Ai dyshohet se ka qenë personi që vodhi makinën ku udhëtuan vrasësit e komisar Dritan Lamajt. Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë të një lokali në qendër të qytetit të Fushë-Krujës, 48- vjeçari i atëhershëm Stafuka merret me forcë nga tre persona të veshur si policë dhe të maskuar.

Kanë mjaftuar vetëm 50 sekonda që grabitësit të neutralizojnë 48- vjeçarin teksa aty afër ka ardhur një automjet tip “Golf” në bagazhin e të cilit është futur Stafuka. Makina më pas është nisur në drejtim të autostradës, ndërsa kanë qenë të afërmit ata që kanë njoftuar forcat e Policisë për këtë ngjarje.

Enver Stafuka është dënuar 4 herë për vepra të ndryshme penale, por ngjarja më e rëndë ku u përfshi emri i tij është ajo e vrasjes së Dritan Lamajt. Babai i 4 fëmijëve u arrestua mbrëmjen e 27 majit 2013 në qytetin e Fushë-Krujës, si bashkëpunëtor i dyshuar në vjedhjen e automjetit “BMW”, nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 25 shkurtit kryekomisari Dritan Lamaj. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco