Lajmi i fundit

LIVE/ Gazment Bardhi Konferencë për mediat

Rrëzimi i avionit/ Dëshmia: Për 45 minuta, fuoristrada zbrazi gjithçka

Rrëzimi i avionit/ Dëshmia: Për 45 minuta, fuoristrada zbrazi gjithçka

09:23, 06/10/2021
A+ Aa A-

Hipotezat për rrëzimin e avionit në zonën e Kelmendit dy ditë më parë kanë qenë të shumta dhe kryesorja lidhej me transportin e ndonjë ngarkese droge, nisur kjo edhe nga precedentët e mëparshëm në zonën e Divjakës e të Ishmit.

Në kushtet kur personat që ndodheshin brenda avionit apo edhe ata që erdhën e i morën me fuoristradë mbeten ende të paidentifikuar, dyshimet për një linjë trafiku droge shtohen edhe më shumë. Megjithatë, kryeplaku i fshatit Vermosh, Prekë Vukaj, ndonëse pranon se një muaj më parë u gjet një parcelë me kanabis rreth 12 km larg nga vendi ku u rrëzua avioni, thotë se në ato male nuk ka dëgjuar të kultivohet hashash.

Por, siç thotë ai, gjë pa u bërë nuk po lihet në ditët e sotme dhe asnjëherë nuk i dihet. Bariu 78-vjeçar, Kolë Vuçaj, që është personi i parë që shkoi tek avioni i rrëzuar për t’i dhënë ndihmë, duke menduar se ishte aksident ajror, tregon se si një person që ndodhej aty i ka bërë thirrje tri herë që të mos afrohet dhe të largohet nga aty në gjuhën shqipe. Fouristrada që ka marrë pilotin dhe pasagjerin, thotë bariu, ka qëndruar 45 minuta deri në një orë duke transportuar disa gjëra nga avioni te fouristrada, por nuk e di se çfarë po transportonin, për shkak se ndodhej në largësi dhe po i vëzhgonte me një dylbi, por pa arritur të identifikojë se çfarë po transportonin.

Si e morët vesh që ishte rrëzuar avioni?

Unë e kam marrë vesh nga Policia e Koplikut në Malësinë e Madhe. Ata më telefonuan dhe më treguan se është rrëzuar një avion. Unë u thashë se ku ka ndodhur dhe ata më orientuan duke më thënë se është në lagjen Velipojë të Vermoshit. Unë u nisa menjëherë dhe lashë të gjitha punët duke menduar se mund të ketë ndonjë të lënduar. Nuk gjeta asnjë njeri përveç një bariu të zonës, Kolë Vuçaj. Ai më tha se avioni ishte ulur rreth 1 km nga vendi ku ndodhej dhe më pas është ngritur edhe njëherë, por në tentativë për t’u kthyer, ka dëgjuar krismën dhe avioni ka bërë uljen e detyruar.

Dikush prej atyre i ka folur shqip duke i thënë mos u afroni se është rrezik dhe mbase mund ta kenë pasur rrezik se mund të shpërthejë avioni. Më pas u afrova dhe e kam gjetur avionin e rrëzuar, ashtu siç është dhe siç e keni parë. Policia më thanë rri aty dhe mos lër askënd të afrohet derisa të vijmë ne dhe kam qëndruar aty duke pritur.

Avioni është ngritur në një vend tjetër para se të bënte uljen e detyruar?

Siç thotë bariu, avioni rreth 1 km më tutje është ulur dhe ka qëndruar një gjysmë ore, sipas deklarimeve të tij, dhe pas gjysmë ore është ngritur sërish dhe se a ka pasur defekt atje që herën e parë apo ka ndodhur defekti pasi është ngritur, këtë nuk e dimë, sepse Policia ka gjetur edhe telat që tregon se ata kanë mbetur pas një gardhi tjetër. Askush nuk e di se çfarë u ka ndodhur atyre. Mesa duket, ka pasur një ulje të detyrueshme, sepse avioni është ulur në një vend të papërshtatshëm, sepse i kanë hyrë telat e gardhit. Avioni është përplasur me një pemë kumbull dhe me shelgje, si dhe me një pishë dhe duket aty në vendngjarje kjo. Duket si diçka aksidentale.

Ka ardhur një fouristradë për t’i marrë?

Çobani thotë që po, sepse unë nuk e kam parë. Nuk dihet se kush janë ata persona që kanë qenë në avion dhe në fouristradë.

A mund të ketë lidhje me drogën kjo ngjarje?

Nuk ma merr mendja, sepse në këtë zonë asnjëherë nuk është mbjellë. Të themi realitetin nuk ka as kush ta mbjellë drogën këtu, sepse kanë mbetur vetëm plaka e pleq, vetëm nëse vjen ndonjë jabanxhi dhe e mbjell. Është shpopulluar sepse kanë ikur njerëzit komplet nga këtu.

Në pjesët e malit keni dyshime se ka kultivim të lëndëve narkotike?

Në male edhe mund të ketë, atë nuk e di. Rreth 12 km nga këtu një muaj më parë është gjetur një parcelë dhe Policia ka arrestuar një person dhe është asgjësuar ajo sasi droge. I arrestuari ishte një punëtor që e kishin dërguar për të ngulur disa shkopinj. S’ka shenja të drogës në këtë zonë, por avioni nuk besoj se ka lidhje me drogën, megjithëse asnjëherë nuk i dihet. Unë për vete nuk dyshoj, se nuk ka vend për t’u mbjellë, sepse nuk ka tokë. Duhet të jenë dy-tre dynym të paktën, por është pyll komplet dhe aty në fushë është e kontrollueshme, por gjithsesi gjë pa u bërë nuk po lihet në ditët e sotme dhe asnjëherë nuk i dihet./Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco