Krim në festën mes miqve/ Dema vrau shokun e kthyer nga Anglia

Krim në festën mes miqve/ Dema vrau shokun e kthyer nga Anglia

11:09, 12/05/2021
A+ Aa A-

Një 27-vjeçar i sapokthyer nga Britania e Madhe mbeti i vrarë mbrëmjen e së hënës, pak para mesnate në Tiranë, nga një plumb në gjoks.

Ai ishte vetë i gjashti në një tavolinë me shokët e tij, në një lokal në rrugën “5 Maji”, kur njëri prej tyre i drejtoi armën dhe e shkrepi.

Nga pamjet e kamerës së sigurisë, duket momenti kur Mehmet Qema, i drejton, i bën me shenjë shokut të tij që ishte në këmbë, që të largonte pistoletën që i kishte drejtuar. E megjithatë, Marius Dema, 28 vjeç, vazhdon me lojën, derisa arma shkrepet dhe e vret shokun e tij.

Nga pamjet duket se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, ashtu sikurse ka deklaruar vetë i dyshuari, por edhe shokët e tjerë që ndodheshin me ta në tavolinë.

Përveç Marius Demës që u vetëdorëzua disa orë pas vrasjes, 4 shokët e të dyve që gjendeshin së bashku me ta, përtej orës policore, janë nën hetim për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur në orën 23:15, pra 1 orë e 15 minuta pasi ishte vendosur ora policore dhe supozohej që lokalet të ishin të mbyllura dhe qytetarët, nëpër shtëpitë e tyre.

Teksa Policia u rikthye në vendngjarje, bashkë me autorin e dyshuar, për të gjetur armën, me të cilën u krye vrasja, në katin e dytë të objektit, u zbulua një pajisje që dyshohet se prodhon “Bitcoin”. Për këtë arsye, vendi ku ndodhi ngjarja ka vijuar të qëndrojë për disa orë me radhë e rrethuar me shiritin e Policisë. Ndërsa përveç oficerëve të Krimeve të Rënda, aty kanë shkuar edhe oficerë të Antikrimit Ekonomik e Financiar.

Dëshmitarë të ngjarjes kanë treguar dje për grupin hetimor, se përpara se të ndodhte vrasja, të rinjtë kanë qenë duke qëndruar në qetësi dhe nuk kanë pasur asnjë konflikt me njëri-tjetrin, pasi ishin miqtë gjithë bashkë. Ndërsa për sa i përket pajisjes që prodhon “Bitcoin”, një prej dëshmitarëve ka treguar se ambienti i ishte dhënë me qira, të dyshuarit Marius Dema. Ky i fundit, tashmë përveç akuzës për vrasje, pritet të merren në pyetje edhe për ambientin e prodhimit të kriptomonedhave, që u zbulua dje rastësisht nga Policia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco