50 eurot zbardhën një nga vrasjet më të bujshme në Elbasan

50 eurot zbardhën një nga vrasjet më të bujshme në Elbasan

12:27, 13/01/2021
A+ Aa A-

Mëngjesin e datës 17 shtator 2020, u ekzekutua në një atentat mafioz Bujar Çela, vëllai i të shumëkërkuarit në Shqipëri, Talo Çela. Për ngjarjen është shpallur në kërkim Nuredin Dumani, rival i Talo Çelës. Grupi hetimor arriti të zbardhë ngjarjen duke akuzuar disa persona si të përfshirë në atentat.

Por cili ishte mekanizmi që zbardhi këtë vrasje? Gazeta Mapo ka mësuar ekskluzivisht nga burime të saj brenda Prokurorisë së Elbasanit se vrasja u zbardh nga një monedhë 50 euro.

Si u zbulua monedha

Pas vrasjes, hetuesit sekuestruan kamerat e sigurisë. Nga këto kamera rezultoi se 3 autorët përdorën 3 automjete të ndryshme, mes tyre edhe Nuredin Dumani. Ishte pikërisht Nuredin Dumani, i cili rreth 25 minuta para vrasjes, kishte shkuar në karburantin përballë lokalit ku qëndronte Bujar Çela dhe kishte hedhur naftë në makinë.

Veshja që ai mbante ishte njëjtë me atë që vrau Bujar Çelën, pavarësisht se Nuredin Dumani kujdesej të fshihej nga kamerat e sigurisë.Por kur i hodhi naftë makinës, Dumani pagoi me një monedhë 50 euro. Hetuesit arritën ta gjenin këtë monedhë, që e kishte marrë pronari dhe verifikuan personat që e kishin prekur.

Më pas monedha u çua në laboratorin kriminalistik, për të gjetur shenja gishtash, ku përveç 3 personave që thanë se kishin numëruar paratë, doli edhe një gjurmë tjetër: Ajo e Nuredin Dumanit. Pikërisht kjo është prova më e fortë që ka Prokuroria për akuzën ndaj Nuredin Dumanit në përfshirjen e tij për vrasjen e Bujar Çelës, përveç veshjes që janë të njëjta para dhe gjatë vrasjes.

Nga kamerat e sigurisë rezulton se 3 persona qëlluan mbi Bujar Çelën, pasi fillimisht autorëve u është bllokuar arma prandaj janë siguruar për të përfunduar ekzekutimin.

Vrasje për rivalitet

Nuredin Dumani dhe Talo Çela kanë qenë miq me njëri-tjetrin, por dyshohet se paratë e grabitura në Rinas nisën konfliktin mes tyre. Ata mendohet se janë pjesë e grupit që grabitën paratë brenda Rinasit, por më pas janë konfliktuar për ndarjen e tyre. Ky konflikt solli edhe vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, 9 muaj më parë. As Nuredin Dumani dhe as Talo Çela nuk janë arrestuar ende nga policia./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco