Kush janë tre vlonjatët e dënuar për vrasje që morën letër nga OFL një ditë më parë

Kush janë tre vlonjatët e dënuar për vrasje që morën letër nga OFL një ditë më parë

09:07, 03/11/2020
A+ Aa A-

Tre vlonjatë të dënuar për vrasje janë personazhet e radhës që kanë marrë letër nga “Forca e Ligjit” për të deklaruar pasurinë. Njëri prej tyre është Gëzim Memeti, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, i cili është një nga 8 personat më të kërkuar në Vlorë.

Ndërsa dy të tjerët janë Viron Ramohitoj dhe Altin Skëndaj, të dënuar për vrasje me paramendim.

Policia tha dje se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFLja u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Viron Ramohitoj, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Altin Skëndaj, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; Gëzim Memeti, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

“OFL-ja është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, tha zyrtarisht Policia.

Vrasja në bashkëpuinim

Një nga personat që mori letër dje nga OFL-ja është Altin Skëndaj, i dënuar me 24 vjet burg për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim. Sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, ai ka pasur njohje me viktimën Kastriot Daqe.

Më datë 15.06.2002, rreth orës 22:00, Kastriot Daqe ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip “BMË”, me targa të huaja, ngjyrë gri, së bashku me shtetasin Eduart Mehmeti me të cilin ka qenë në marrëdhënie fisnore.

Udhëtimi po kryhej ne Rrugën Transballkanike, me drejtim nga kryqëzimi i kësaj rruge me rrugën që të çon në vendin e quajtur “Kali i Trojës”, për në drejtim të ish-Parkut të Tregtisë.

Gjatë udhëtimit, viktima Kastriot Daqe ka parkuar makinën në anë të rrugës, para servisit të shtetasit me emrin Nako dhe kanë dalë të dy nga makina për nevoja personale.

Shtetasi Eduart Mehmeti ka dëshmuar se ka kaluar në anën tjetër të Rrugës Transballkanike, ndërsa viktima Kastriot Daqe ka qëndruar pranë makinës së tij. Gjithashtu ka dëshmuar se në këtë kohë pranë shtetasit Kastriot Daqe janë afruar dy automjete, në njërin ndodhej i gjykuari Altin Skëndaj, i cili drejtonte automjetin e tij tip “Lancia”, si dhe persona të tjerë në një automjet me ngjyrë të kuqe.

I gjykuari Altin Skëndaj është afruar shumë pranë shtetasit Kastriot Daqe dhe menjëherë është dëgjuar një krismë arme, i gjykuari është futur në automjetin e tij dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes së bashku me drejtuesin e makinës me ngjyrë të kuqe, i cili është larguar në të njëjtën kohë.

Kastriot Daqe ka mbërritur i vdekur në Spitalin e qytetit të Vlorës, ndërsa shtetasi Eduart Mehmeti ka njoftuar familjarët dhe të afërmit e tij dhe të viktimës në lidhje me ngjarjen./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco