Si e shndërroi media dhe policia ish-zetoristin Zhidro në kriminel ndërkombëtar

Si e shndërroi media dhe policia ish-zetoristin Zhidro në kriminel ndërkombëtar

11:57, 25/09/2020
A+ Aa A-

Një i moshuar, i cili sipas atyre që e njihnin kishte edhe problem të theksuara me shëndetin mendor, ngriti në këmbë gjithë Policinë e Shtetit.

RENEA, FNSH dhe dhjetëra policë të armatosur rëndë të mbërritur edhe nga qytetet përreth, e shndërruan lagjen lagjes ‘11 Nëntori’ në Elbasan në një shesh lufte.

Duke parë gjithë këtë mobilizim të policisë, fillimisht u kujtua se po bëhej luftë me ndonjë nga organizatat kriminale të këtij qyteti, të cilat dihet se janë mjaft të fuqishme dhe të armatosura rëndë.

Por shumë shpejt u mësua se policia po luftonte me 71-vjeçarin Lefter Zhidro, i cili i ngujuar në banesën e tij në një pallat, nuk pranonte që të dorëzohej.

Si përfundim, Zhidru u ekzekutua nga forcat më elitare të policisë, nga RENEA, e cila ka shkuar disa herë vetëm këto dy vitet e fundit në qytetin e Elbasanit për të goditur grupet e rrezikshme dhe me nam në Shqipëri, por gjithmonë ka dështuar pasi aksionet e saj janë dekonspiruar.

As Zhidron nuk e kapën dot, por e ekzekutuan me snajper me një plumb në kokë.

Ngjarjen e bujshme që zgjati më shumë se 5 orë e ndoqi live gjithë Shqipëria, por edhe eksponentët dhe anëtarët e dy organizatave kriminale që prej vitesh lajnë hesapet me shumë të vdekur në këtë qytet.

E ndoqën nga shtëpitë apo lokalet, në të njëjtin qytet ky shteti u ngrit në këmbë për të neutralizuar Zhidron ‘e rrezikshëm’.

Deri në këtë moment, atë nuk e njihte njeri. Gazetarët nuk kishin dëgjuar dhe shkruar kurrë për atë. Por menjëherë pas vrasjes së bujshme, televizionet dhe portale u kujdesën që ta shndërronin në një “kriminel të rrezikshëm”.

Madje Top Channel shkoi deri aty sa, ‘sipas burimeve’ (policore), shkruante se 71-vjeçari kishte lidhje me bandat më të rrezikshme në vend.

“Burimet thonë se Zhidru është marrë me tregti lëndësh shpërthyese dhe fishekësh dhe kjo shpjegon faktin se dje pas ekzekutimit të tij policia i gjeti në banesë lëndë plasëse. Po ashtu besohet se ai ka pasur lidhje me bandat në Elbasan Vlorë dhe Sarandë, e po ashtu ka lidhje të forta në Rumani dhe Bullgari”, shkruan sot t.ch.

Pra përveçse sipas shumë kronikave të porositura ‘shpejt e shpejt’, ai rrezikonte që të bënte masakër me qytetarët dhe të hidhte madje gjithë pallatin në erë ishte edhe një kriminel, që i nisnin lidhjet me bandat në Sarandë, Lushnjë e Vlorë dhe i përfundonin në Rumani e Bullgari.

Por ka diçka që nuk shkon në gjithë këtë histori. Zhidro ka pasur një histori tragjike personale me 2 divorce e tre martesa si shumë familje shqiptare, por kurrë nuk ka qenë i skeduar nga policia.

Ky ‘mafioz ndërkombëtar’ me depresion, punonte gjithë ditën, por ishte aq i varfër sa që djali i tij në Sarandë bënte jetën e një endacaku.

“Nuk e di, kjo puna e armës mua s’më hyn fare në tru. Nuk di të them për këtë. Nuk ka pasur armiq këtu dhe nuk ka ngacmuar njeri. Bashkëshortja kur ka shkuar në polici ka deklaruar, se nuk kishte armë në shtëpi.

Nuk mund të them asgjë. Të jetë ndonjë lojë? Asnjëherë s’ka pasur armë. Ka katër djem dhe vajzën pesë. Vajzën e ka me këtë gruan. Ka pasur një fat të keq. Ka pasur një djalë me gruan e parë, ajo u sëmurë, vdiq. U martua me një tjetër dhe patën tre djem. Kjo ishte martesa e tretë. Për mua ishte punëtor që nuk kishte kohë që të merrej me këto gjëra. Nuk ka pasur punëtor si Lefteri”, tregon për mediet i vëllai i të ekzekutuarit, Thanas Zhidro.

Edhe gjitonët, përveç problemeve me depresionin dhe atyre që vijnë në familje me gruan nga varfëria, nuk e njihnin Lefter Zhidron si kriminel kaq të madh.

Është e vërtetë që në mesditë nën një gjendje depresioni kushedi se përse, ai qëlloi nga banesa e tij kundër policisë duke terrorizuar edhe qytetarët.

Por pasi blutë morën zonën nën kontroll dhe banorët u evakuuan, a mund të shmangej vrasja dhe Zhidro i vetëm përball elitës së bluve të arrestohej?

“E turpshme për shtetin. Neveri për pushtetin. Kjo ngjarje tregon se kemi një shtet qesharak. Ju bëri zbor një plak 71 vjeçar... dhe e vranë. Jo një kriminel, por një plak me neurozë... Një polici e tërë gjithë ditën në Elbasan e dorëzuar përballë jo një krimineli, por një plaku. Një polici e paaftë ta arrestojë. Imagjinoni këtë pushtet, këtë polici të Llesh Kimikut në betejë me krimin... Turp”, komentoi ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, menjëherë pas ngjarjes në Elbasan.

Ndërkohë mund të imagjinoni se si argëtohen me lajmet ‘e bujshme’ dhe betejën e madhe të RENEA dhe gjithë policisë së shtetit me ish-zetoristin Zhidro, krerët dhe anëtarët e dy organizatave kriminale në Elbasan, të cilat kanë në ‘defterët’ e tyre, dhjetëra të vrarë dhe tonelata heroinë të trafikuar nga Turqia drejt Europës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku25/09/2020 13:46

Disa vite kë parë, një gjeneral në pension shkruante librin mbi Flotën Heroike Luftarake të Shqipërisë gjatë pushtetit komunist, të luanin hatllat e trunit te kaptina se çfarë heroizmash kishte kryer kjo flotë, që përfundoi me mbytjen e katrës së radës ngarkuar me fatkeqët e emigraciononit. Ndërkohë gjeneral lesh kimiku po mbush ditarin e tij me heroizmat e policisë, kushedi se çfarë libri legjendar do kemi mbas disa vjetësh, mbushur me policë heroikë që sakrifikojnë jetën e tyre në mbrojtje të.... hashashit.

Shto koment

Denonco