Rasti ‘Karaçeva’/ Policia arreston edhe dy persona të dyshuar

Rasti ‘Karaçeva’/ Policia arreston edhe dy persona të dyshuar

20:26, 23/09/2020
A+ Aa A-

Policia e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se ka arrestuar edhe dy persona tjerë, që dyshohet se janë të lidhur me rastin e njohur “Karaçeva”.

Përmes një komunikate, Policia ka njoftuar se ka arrestuar këta persona pas dyshimeve se ata janë marrë me kontrabandim të mallrave në periudhën 2019-2020, nga territori i Serbisë në Kosovë.

Sipas këtij institucioni, përmes këtyre veprimeve, të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit.

Me vendim të prokurorit të arrestuarit do të jenë në mbajtje për 48 orë.

Përndryshe, të hënën në Gjykatën Themelore të Gjilanit është mbajtur një seancë ndaj 30 personave që janë arrestuar më 19 shtator gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë.

Në total, Policia atë ditë ka arrestuar 35 persona, 12 prej të cilëve ishin policë.

Gjatë aksionit policor të 19 shtatorit, janë rrënuar edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

Në mars të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit, kishte ardhur, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, ishin vrarë dy persona.

Edhe pas vendimit të qeverisë në atë kohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksione të ndryshme, ka hasur dhe arrestuar persona të cilët ishin dyshuar se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit./ Rel/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco