Vazhdon kaosi kilometrik në Kakavijë: mijëra shqiptarë presin të shkojnë në Greqi

Vazhdon kaosi kilometrik në Kakavijë: mijëra shqiptarë presin të shkojnë në Greqi

08:21, 15/08/2020
A+ Aa A-

Radha kilometrike në doganën e Kakavijës vazhdon të shtohet frikshëm me kilometra të tjerë. Mijëra qytetarë tashmë janë në pritje për të kaluar në Greqi prej tre ditësh nën një vapë përvëluese dhe në kushte kaosi.

Dogana greke, e mbyllur gjatë natës, ka nisur punën me tre sportele, përkundër palës shqiptare që po punon me pesë sportele.

Radha është bërë më e dendur dhe vuajtjet e shqiptarëve edhe më të mëdha pasi Greqia ka njoftuar se për të gjithë ata që do të hyjnë në këtë shtet pas datës 16 gusht, do të duhet të futen në karantinë për shtatë ditë.

Qeveria shqiptare, pas presionit public, protestave dhe pamjeve të rënda të publikuara nga mediat, bëri dje disa tentative të vakëta për të zgjidhur situatën. Sipas saj, vonesat janë krijuar për shkak të testit të COVID që iu bëhet shqiptarëve nga autoritetet shëndetësore greke dhe ndërprerja e punës gjatë natës.

AMBASADA E GREQISE NE TIRANE DEKLARON

Ambasada e Greqisë në Tiranë ka njoftuar dje se në Pikën Kufitare të Kakavijës do të lejohen të kalojnë 750 persona në ditë, ndërsa në Kapshticë 300 persona.

Sipas vendimit të qeverisë greke i datës 13.08.20, të përjashtuar nga ky kufizim janë: Personat që kanë pasaportë greke, kartën e identitetit të Posaçëm të homogenit dhe lejen e qëndrimit, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi dhe të gjithë ata që kane marrë leje për nevoja absolutisht të rëndësishme.

Ata që do të shkelin këtë rregull do të ndëshkohen me 5000 euro gjobë. Ndërsa kalimi do t’u lejohet vetëm atyre që kanë rezultuar pozitivë në 72 orët e fundit.

POLICIA SHQIPTARE NGA KAKAVIJA:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Forcat Shqiponja dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, gjatë paradites dhe mesditës së sotme kanë shpërndarë dhe vijojnë të shpërndajnë qindra shishe me ujë për drejtuesit e mjeteve, familjarët dhe të afërmit që udhëtojnë me ta, si dhe për pasagjerët e autobusëve që janë në pritje për të udhëtuar në drejtim të shtetit grek.

Gjithashtu, për të normalizuar qarkullimin, për të respektuar radhën dhe për të mos krijuar konfuzion janë aktivizuar edhe grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë në mbështetje të punonjësve të Policisë Rrugore.

Ndërkohë, nga ana e drejtuesve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe drejtuesve të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë janë marrë e po merren takime të shpeshta me qëllim ndikimin nga ana e Policisë greke të autoriteteve shëndetësore greke për të shtuar personelin me qëllim që të kryhen në kohë më të shpejtë tamponët për COVID-19.

Shërbimet e Policisë janë shtrirë përgjatë aksit rrugor Jorgucat-Kakavijë, duke i ardhur në ndihmë çdo qytetari në nevojë.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos dynden drejt Kakavijës, pasi në ditët e ardhshme pala greke do të kufizojë akoma më shumë lëvizjet drejt shtetit grek.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco