Del ekspertiza/ Pse humbën jetën nëna dhe dy fëmijët e saj

Del ekspertiza/ Pse humbën jetën nëna dhe dy fëmijët e saj

09:24, 18/02/2020
A+ Aa A-

Tre pjesëtarët e familjes Tola në fshatin Ostren të Bulqizës dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga soba e drurit, me të cilën ngroheshin. Ky dyshim është pas ekzaminimeve paraprake të bëra ndaj vajzës 16-vjeçare të familjes Tola, e cila arriti të mbijetonte. Sipas burimeve, mësohet se në rrugët e frymëmarrjes së 16-vjeçares, janë gjetur mbetje karboni, të cilat krijohen nga tymi.

Por, burimet thonë më tej se kjo ekspertizë nuk është përfundimtare, pasi Mjekësia Ligjore pritet të flasë me verdiktin përfundimtar lidhur me shkaqet që sollën vdekjen e nënës, Rajmonda Tola, me dy fëmijët, Rudina Tola dhe Fatjon Tola. Fillimisht u raportua se vdekja e tyre kishte ardhur si pasojë e bombolës së gazit, më pas një shishe me pesticid që përdorej për patatet zgjeroi pistën e hetimit, teksa nuk u përjashtua edhe helmimi nga persona të tjerë. [bulqize]

16-vjeçarja Merita Dola, e vetmja e mbijetuar nga tragjedia e trefishtë në Ostren, është trajtuar në QSUT, për toksikim nga monoksidi i karbonit. Gjithashtu, edhe nga marrja në pyetje e kunatës së Rajmondës, ajo që gjeti të pajetë tre personat, apo edhe dëshmisë së personave të tjerë, kanë dëshmuar se kanë pasur një marrëdhënie shumë të mirë me pjesëtarët e familjes Tola, duke mos pasur asnjë motiv për t’i helmuar. Megjithatë, mes gjithë kësaj tragjedie, 16-vjeçarja ka kaluar rrezikun për jetën. Merita Tola ndodhet në gjendje të stabilizuar, kur pritet që t’i bëhet edhe një konsultë psikologjike dhe më pas do të dërgohet në Bulqizë për të marrë mjekimin e nevojshëm. Ajo nuk ka qenë në dijeni për tragjedinë që i ka ndodhur, duke humbur nënën, motrën dhe vëllanë në të njëjtën ditë dhe nuk dihet nëse e ka mësuar këtë lajm të trishtë. Rajmonda dhe dy fëmijët e saj, Fatjoni 14-vjeçar dhe Rudina 22 vjeç, e cila këtë shtator do të martohej, u përcollën në banesën e fundit tri ditë më parë.

Ndërkohë, burime nga Policia e Bulqizës bënë të ditur se hetimet për zbardhjen e gjithë kësaj tragjedie janë paksa të vështira. Kjo për shkak se trupat e pajetë të familjarëve Tola janë gjetur nga të afërmit rreth orës 08:00 të mëngjesit të datës 14 shkurt, ndërsa uniformat blu janë njoftuar rreth orës 13:00 të mesditës. Njoftimi është bërë pasi familjarët kanë bërë të gjitha përgatitjet për mort dhe nga dhoma kishin të nxjerrë të gjitha sendet që mund të ndihmonin në zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje. Bombola e gazit, shishja me pesticide, thanë burimet, ishin nxjerrë jashtë dhomës kur aty mbërritën ekspertët e policisë. Dhoma ishte pastruar dhe ishte gati për mort./Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco