Arrestimi i Kastriot Gjuzit në Kosovë, policia jep detaje: U kap duke kaluar kufirin në këmbë

Arrestimi i Kastriot Gjuzit në Kosovë, policia jep detaje: U kap duke kaluar kufirin në këmbë

10:20, 20/04/2018
A+ Aa A-

Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtare në lidhje me arrestimin Kastriot Gjuzit. Me një njoftim për mediat, policia thotë se arrestimi i vrasësit të dyshuar të Mario Majollarit është bërë pas shkëmbimeve të shpejta të informacioneve nga ana e Policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Policia ka konfirmuar edhe faktin se, Gjuzi është prangosur duke kaluar malin në këmbë drejt Kosovës.

Njoftimi i Policisë për arrestimin:

Shkëmbimi i informacionit në kohë reale mes Policisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës si dhe falë gatishmërisë së Policisë së Kosovës për të bashkëpunuar, çoi në kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit M. M.

Shërbimet e Departamentit të Policisë Kufitare të Kosovës, bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim nga Policia Shqiptare:

Kastriot Gjuzi, 40 vjeç, i lindur në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 10.04.2018, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku u vra me armë zjarri shtetasi M.M.

Personi i mësipërm me qëllim shmangien e hetimeve ndaj tij kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin jeshil në “Republikën e Kosovës”, ku dhe u kap nga Departamenti i Policisë Kufitare të Kosovës.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë u bë ndalimi i shtetasit të lartpërmendur.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të mësipërm për veprat penale të ‘Vrasjes për gjakmarrje’ dhe ‘Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit’, parashikuar nga nenet 78/a dhe 278/2 të Kodit Penal.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco