Shpallet platforma 'Made in Kosova' - MiK

Shpallet platforma 'Made in Kosova' - MiK

08:58, 16/05/2024

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpalli dy ditë më parë, platformën “Made in Kosova“- (MiK), qëllimi kryesor i së cilës është që t’i mundësojë bizneseve kosovare të zgjerohen në tregje të reja ndërkombëtare dhe gjithashtu të promovojë investime direkte të huaja në Kosovë.

Në ceremoninë kryesore të prezantimit të platformës morë pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, znj. Donika Gërvalla, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, Zëvendësministrat e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi dhe z. Kreshnik Ahmeti, përfaqësues të shoqatave nga sektorë të ndryshëm të biznesit si dhe mysafirë të tjerë.

Ministrja Gërvalla në fjalën e saj hyrëse tha se kjo platformë ka për qëllim të promovojë jashtë vendit potencialin e jashtëzakonshëm kulturor, ekonomik, por edhe turistik të Republikës së Kosovës.

MiK-u, tha ministrja Gërvalla do të jetë një dritare virtuale fillimisht nëpër misionet diplomatike të Kosovës, duke paraqitur në skenën ndërkombëtare dhe para gjithë botës prodhimet vendase dhe kulturën e vendit tonë.

Duke folur për platformën, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se MiK përmban informata të detajuara mbi dhjetë sektorët kyç të vendit tonë, me shifra që jo vetëm i shërbejnë investitorëve potencialë, por që tregojnë transparencën me të cilën qeveriset shteti ynë.

“Ajo është dritare digjitale institucionale për shumë miq jashtë vendit, që janë të interesuar të mësojnë më shumë për realitetin e potencialin tonë ekonomik, kulturor e turistik”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Përderisa e uroi Kosovën për krijimin e një platformë të tillë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, u shpreh se kjo platformë do ta përmirësojë imazhin global të biznesit të Kosovës, duke shfaqur cilësinë, diversitetin dhe konkurrencën e produkteve kosovare për investitorët dhe blerësit potencial.

Në vazhdim, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, prezantoi konceptin e platformës dhe këndit „Made in Kosova“ dhe i shprehi falënderime të veçanta për bashkëpunimin e të gjithë hisedarëve dhe për kontributin që ata kanë dhënë për realizimin e MiK-ut, duke përfshirë këtu Odat Ekonomike, festivalet dhe OJQ të ndryshme, të cilat edhe e kanë bërë të mundur këtë projekt.

Pas prezantimit zyrtar të kësaj platforme nga z. Leart Zogjani nga Skins Agency, u mbajt edhe paneli i diskutimit i titulluar: „Bashkëpunimi me sektorin privat për promovimin e potencialit ekonomik të Kosovës: Roli i Misioneve Diplomatike dhe Konsullore“ dhe ku morën pjesë Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës/SHPDK, Arjeta Pozhegu, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), z. Hartim Gashi, Drejtoresha Ekzekutive e Kllasterit Prefab Kosova, znj Sytrime Dërvisholli, Menaxheri i Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës “ENOLOGJIA”, z. Hamez Rama dhe Shefi i Projektit “USAID Kosovo Compete Activity”, z. Skender Rama.

Në fund të kësaj ngjarje, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj Donika Gërvalla dhe Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës/SHPDK, Arjeta Pozhegu, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për krijimin e këndit të veçantë brenda Misioneve Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco