'Ma mori dritën e syve'

'Ma mori dritën e syve'

09:07, 29/05/2024

Ftohtësia e mureve të dhomës, që dikur ushtonte prej të qeshurave, zbardh dhe terron ditët e Milihate Coklit. Në secilën qoshe të saj sheh ëndrra që u humbën dhe dëgjon fjalë që s’u thanë.

Dhimbja që e shtrëngon në gjoks, i bëhet e padurueshme kur prek fytyrën e saj të ngrirë në fotografi. “Unë vazhdoj t’i them çdo ditë ‘mirëmëngjesi’ dhe ‘natën e mirë’ Eronës”, thotë me zërin që i dridhet Milihatja.

Vajza e saj 20 vjeçe u vra më 12 prill në Ferizaj - qytet në pjesën juglindore të Kosovës, njofton Radio Evropa e Lirë. Si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua ish-bashkëshorti i saj, me të cilin Erona kishte një djalë një vjeç e dy muaj.

Çifti ishte i divorcuar për gati një vit dhe Erona e kishte obligim ligjor që ta takonte të birin me të atin çdo javë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Në takimin që do të bëhej i fundit për ta, ajo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i saj Driloni, 15 vjeç, që e shoqëronte, u plagos.

“Në ato momente, sikur më theri diçka në zemër”, kujton Milihatja kohën kur kolegët në punë i thanë se “qenka vrarë një grua”.

“Nuk e dija se ishte vajza ime. Isha në kuzhinë duke punuar dhe thashë me vete ‘si janë prishur kështu njerëzit’”.

Ende pa e kuptuar, ankthi e kishte ngërthyer. Nuk e kujton se sa kohë kishte kaluar, kur kunati ishte shfaqur në restorantin ku punonte - pak kilometra larg shtëpisë në fshatin Bablak të Ferizajt.

“Mendova se po shkonim në shtëpi... Kur e mori rrugën nga qyteti, e pyeta: përse po shkojmë në Ferizaj? Më tha: janë plagosur Erona e Driloni”.

Aty, brenga për ta e kishte ngufatur. Por, një fije shprese se do t’i gjente të gjallë, e mbante.

“Kur e pashë Drilonin e plagosur në spital, e dija që do të shërohej... dhe nisa të bërtas: ku e kam çikën”.

Nga ai moment, thotë se nuk mban në mend asgjë, përveçse të jetë rrethuar nga mjekët dhe stafi tjetër.

“Sa shumë dhimbje... Dritën e syve që kisha, ma mori”.

Milihatja beson se bashkëshorti i Eronës ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj saj me vite, ndonëse Erona mundohej ta mbante fshehur.

Ata ishin lidhur kur vajza ishte 16 vjeçe dhe, shumë shpejt pas, “nisi të ndrydhej, nuk hante njësoj, nuk qeshte njësoj”.

“Vinte në shtëpi e më thoshte se nuk do të kthehej më tek ai... por diçka ndodhte dhe prapë shkonte”.

Milihatja kujton se, njëherë, kishte vënë re edhe shenja dhune në trupin e së bijës, por se ajo i kishte thënë se ishte rrëzuar në banjë.

Përkundër insistimit të prindërve, ajo ishte kthyer prapë tek ai.

“Isha e bindur se e kërcënonte me neve... Dhe Erona bënte gjithçka për qejfin e tij, vetëm që të mos na dëmtonte”.

Motivet e kësaj sjelljeje thotë se nuk i di, por frika iu provua kur ish-bashkëshorti i Eronës “nisi ta kërcënonte” vëllain e madh të saj, se gjoja do të pësonte, nëse Erona largohej prej tij.

Erona, ndërkohë, mbeti shtatzënë dhe gjatë asaj periudhe, e ëma thotë se ajo i ndërpreu kontaktet me familjen.

Edhe pse vetëm disa kilometra larg me shtëpi, ajo thotë se nuk dinte asgjë për të bijën.

“Djalin e madh, Rinorin, e larguam nga Kosova që të mos ndodhte më e keqja... dhe rastin e raportuam në polici”.

“Disa herë iu drejtuam policisë rajonale në Ferizaj... u thosha se më mungon vajza... por më thoshin se janë në kontakt me të dhe se ajo nuk pranon të flasë me familjen”.

Meraku, frika e ankthi i familjes zgjatën me muaj, derisa Erona, gjashtë javë pas lindjes së djalit, u kthye bashkë me të te prindërit - “e lodhur, e dobësuar, e traumatizuar”.

Me mbështetjen e tyre kishte vendosur ta riniste jetën nga fillimi, duke parë tek i vogli i saj motiv e shpresë.

Milihatja thotë se bashkë me bashkëshortin e saj ishin gati të bënin gjithçka, vetëm që atyre të mos u mungonte gjë.

Teksa kujton zërat dhe zvarritjet e nipit për tokë, vaji ia ndal rrëfimin.

“Është dhurata më e shtrenjtë që më ka lënë Erona”, thotë Milihatja dhe nis e shpalos rrobat e tij.

“I ka ngjarë asaj...”, thotë nëpër dhëmbë.

Pas vrasjes së Eronës, djali kaloi nën kujdestarinë e nënës së ish-bashkëshortit të saj dhe familja e Eronës e takon “çdo dy javë, nga tri orë”.

Milihatja thotë se do të përpiqet ta rikthejë nipin nën kujdestarinë e vet. Teksa rrëfen e përpëlitet nëpër dhomë, bashkëshorti i saj, Gazmendi, qëndron i heshtur e i pllakosur nga dhimbja.

“Ishte jashtëzakonisht e lidhur me të atin”, thotë Milihatja për Eronën. Babai nuk dëshiron të flasë shumë, por thotë se ka vetëm një peng: “Pse nuk i qëndrova më afër, në çdo hap...”.

Image

Image

Image

Image

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco