Besa tregon detajet e performancës në Eurovision

Besa tregon detajet e performancës në Eurovision

16:27, 08/05/2024
A+ Aa A-

Besa Kokëdhima, e ftuar në mënyrë virtuale përmes një lidhjeje në Skype, foli për “Wake Up”, duke rrëfyer disa detaje nga performanca që pritet të elektrizojë skenën e Eurovision në Malmö, Suedi. Besa përfaqëson Shqipërinë me këngën “Titan”. Artistja ka zbuluar disa nga surprizat e natës së dytë të gjysmëfinales, e cila do të zhvillohet në 9 maj.

Besa u shpreh se është e mbushur me emocione dhe angazhime të ndryshme:

“Jam super gati, plot emocione, shumë angazhime, koncerte. Kemi shumë punë. Mendoj se jemi gati dhe shpresojmë të bëjmë një performancë shumë dinjitoze. Sot kemi provën e veshjes, janë dy provat e fundit që konsiderohen si provat gjenerale. Janë të fundit para performancës së nesërme. Atmosfera mes artistëve dhe delegacioneve sivjet duket shumë e bukur. Është një garë shumë e fortë sivjet. Kemi një grup Whatsapp-i që shkruajmë vazhdimisht”, tregoi këngëtarja.

Më tej, për sa i përket pritshmërive të saj nga kjo mbrëmje emocionuese Besa tha:

“Pjesa më e madhe e këngëve më të forta janë mbrëmjen që jam unë. Ka një konkurrent më shumë këtë natë, që vështirësohet rruga. Janë 16 konkurrentë dhe pjesa më e madhe janë në gjysmëfinalen e dytë. Gara është më e egër, kanë këngë të mira, janë shtete të forta. Unë këndoj e dyta, në fillim të mbrëmjes.

Ajo vijoi:

"Zakonisht, këto fillimet e mbrëmjes, statistikisht janë konsideruar hapësira jo shumë të mira për probabilitetin e kualifikimit. Por nuk e marr këtë gjë në konsideratë në këtë aspekt”.

Si do të kryhet votimi?

Dhjetë finalistët do të përzgjidhen nga votat e publikut dhe votimi do të kryhet përmes 2 mënyrave:

- Shqiptarët që ndodhen në shtetet që garojnë në Eurovision në natën e dytë të festivalit mund të votojnë në kodin 02 në numrat përkatës.

- Për shqiptarët që jetojnë në vende të tjera, votimi do të jetë online dhe do të mund të bëhet 24 orë para se të hapet ky votim. Shqipëria mund të votohet deri në 20 herë nga çdo vend i botës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco