Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

8 momentet kur familja mbretërore bëri publike sfidat me shëndetin

8 momentet kur familja mbretërore bëri publike sfidat me shëndetin

12:55, 23/03/2024
A+ Aa A-

Familja mbretërore e Britanisë së Madhe shquhet për sekretet e saj dhe duket se motoja e tyre është: “Kurrë mos u anko, kurrë mos shpjego”. Por, me kuriozitetin e njerëzve për të ditur gjithçka rreth mbretërorëve, si dhe të nxitur nga dëshira për të ndërgjegjësuar njerëzit, pallati mbretëror shpeshherë ka treguar se anëtarët e tij vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

Rasti i fundit: Kate Middleton tregon se është prekur nga kanceri

Image

Princesha e Uellsit, Kate Middleton, përmes një mesazhi me video ka zbuluar të vërtetën rreth teorive konspirative që qarkullojnë, duke thënë se është diagnostikuar me kancer dhe se po bën seanca kimioterapie. Lloji i kancerit nuk është bërë publik, por ajo ka nisur kimioterapinë në shkurt.

Kanceri u zbulua nga testet e kryera pas operacionit të saj në zonën abdominale.

Mbreti Charles III u diagnostikua gjithashtu me kancer

Image

Mbreti Charles III është diagnostikuar me kancer, konfirmoi pallati i Buckingham. Deri më tani dihet se nuk është kancer në prostatë, sipas analizave të kryera. Lloji i kancerit nuk është zbuluar, por sipas deklaratës së pallatit, mbreti ka nisur trajtimin e rregullt.

Në deklaratë shkruhej se mbreti mbetet pozitiv për trajtimet që do të marrë dhe se dëshiron të kthehet në publik sa më shpejt.

Sarah Ferguson tregoi se ishte diagnostikuar me kancer në lëkurë

Image

Në janar të këtij viti, Sarah Ferguson njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer në lëkurë, disa javë pasi tha se kishte mposhtur kancerin në gji. Përmes një zëdhënësi, publiku mësoi se dukesha e York kishte hequr disa nishane dhe se dermatologët dolën në përfundimin se ajo duhet të kryente një operacion, pasi një prej nishaneve ishte kancerogjen.

Në deklaratë thuhej se dukesha shpreson që eksperienca e saj të theksojë rëndësinë e kontrollimit të përmasave, formës, ngjyrës dhe teksturës së nishaneve të rinj, pasi mund të jenë melanomë.

Meghan Markle dhe beteja me shëndetin mendor

Image

Në intervistën e saj me Oprah në vitin 2021, Meghan Markle tregoi vështirësitë e saj për t’u përshtatur me familjen mbretërore dhe se si e gjitha kjo i shkaktoi sfida me shëndetin mendor, madje, edhe mendime vetëvrasëse.

“Kisha turp ta thoja dhe ndroje ta pranoja para Harry-t, por e dija që nëse nuk e thoja, do e bëja. Thjesht nuk doja të isha gjallë. Ky ishte një mendim i qartë, i vërtetë, frikësues dhe i vazhdueshëm”, u shpreh ajo asokohe.

Shëndeti i mbretëreshës Elizabeth II

Image

Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në shtator të vitit 2022, në moshën 96-vjeçare, por përpara kësaj, kishte kaluar disa probleme me shëndetin. Ajo u pa në tetor të vitit 2021 me një bastun, pasi kishte vështirësi në të ecur dhe në të njëjtin muaj, mjekët e këshilluan që të anulonte udhëtimin e saj në Irlandën e Veriut dhe ajo kaloi një natë në spital.

Në nëntor të po atij viti, ajo mungoi në disa festa tradicionale, pasi kishte disa probleme me shpinën. Në vitin 2022, mbretëresha u infektua me Covid-19 dhe përmirësimi i saj ishte i ngadaltë.

Detyra e saj e fundit ishte 2 ditë para vdekjes, pasi takoi Liz Truss, kryeministren e re të vendit në kështjellën Balmoral në Skoci.

Shëndeti i princit Philip

Image

Bashkëshorti i mbretëreshës Elizabeth, princi Philip, ndërroi jetë disa ditë para se të mbushte 100 vjeç. Njëjtë si e shoqja, problemet e tij lidheshin më së shumti me moshën.

Në vitin 2019 ai pësoi një aksident me makinë. Më pas, në shkurt 2021, ai kaloi disa ditë duke u trajtuar për infeksion pasi nuk ndihej mirë. Ndonëse duhej të qëndronte nën vëzhgim për vetëm disa ditë, ai kaloi thuajse një muaj në spital. Në mars, ai u zhvendos në spitalin “St. Bartholomew” për një operacion që lidhej me zemrën. Një muaj më vonë, ai u kthye në kështjellën Windsor, ku ndërroi jetë në paqe, më 9 prill 2021.

Princesha Margaret dhe operacioni në mushkëri

Image

E njohur si “rebelja me gjak blu”, edhe princesha Margaret është përballur me vështirësi në shëndet. Ndryshe nga anëtarët e tjerë të familjes, Margaret kishte qejf të pinte cigare dhe alkool dhe në vitin 1985, ajo iu nënshtrua një operacioni, ku hoqi një pjesë të mushkërisë.

Margaret, në vitin 1993, u shtrua në spital për pneumoni. Më pas, ajo përjetoi dy goditje në tru, një në vitin 1998 dhe një tjetër në 2022. E fundit ishte fatale dhe ajo ndërroi jetë më 9 shkurt të vitit 2022, në moshën 71-vjeçare.

Princeshë Diana, depresioni pas lindjes dhe bulimia

Image

Nuk është aspak një sekret se princeshë Diana kishte një marrëdhënie të vështirë me Charles. Ajo ka folur hapur për sfidat e saj me depresionin pas lindjes, por veçanërisht për buliminë.

“Kam pasur bulimi të shfrenuar dhe nëse ke këtë lloj bulimie, ti ndihesh sikur nuk je i/e aftë për asgjë. Je i/e padobishëm/me, i/e pashpresë dhe po dështon në çdo drejtim”, u shpreh ajo në një intervistë për “BBC 1 Panorama”, në vitin ’95.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco