Katër faktorët kryesorë pse martesat përfundojnë në divorc!

Katër faktorët kryesorë pse martesat përfundojnë në divorc!

18:08, 29/04/2023
A+ Aa A-

Shkaku i çdo divorci është kompleks dhe i lidhur me një mori faktorësh. Psikologët kanë qenë në gjendje të gjurmojnë një sërë sjelljesh që duket se kanë një lidhje të ngushtë me divorcin e një çifti.

Një nga ekspertët kryesorë për këtë çështje është dr.Xhon Gotman, profesor i psikologjisë në Universitetin e Uashingtonit, që është marrë për dekada të tëra me kërkimet mbi parashikimin e divorceve dhe stabilitetin e martesave. Në librin e tij “Çfarë e parashikon divorcin?”, botuar për herë të parë në vitin 1993, ai përshkroi 4 nga sjelljet më problematike në komunikim që mund të parashikojnë nëse çiftet e martuara do të ndahen:

Përbuzja: Mosmarrja seriozisht e shqetësimeve të partnerit, e shprehur shpesh përmes gjesteve si sharja, sarkazma, humori i hidhur, tallja etj.

Kriticizmi: Sulmet e vazhdueshme ndaj karakterit, besimeve, personalitetit, pamjes fizike apo veprimeve të partnerit.

Kalimi gjithmonë në pozita mbrojtëse: Mohimi i përgjegjësisë kur një nga partnerët përballet me kritika apo këshilla.

Shndërrimi në një pengesë të pakapërcyeshme: Shkëputja e plotë e komunikimit, duke e injoruar apo duke u sjellë me partnerin sikur jeni shumë i zënë.

Gotman i quan këta faktorë “Katër Kalorësit e Apokalipsit”. Bazuar në 7 studime, ku janë përfshirë qindra çifte, Gotman pretendon se është e mundur të parashikohet me mbi 90 për qind saktësi se cilat çifte do të divorcohen dhe cilat do të qëndrojnë së bashku.

Përtej llojeve të personalitetit, këta 4 faktorë luajnë një rol të madh në suksesin e martesave, argumenton ai. “Çiftet që kishin të 4 faktorët e rrezikut, u divorcuan mesatarisht 5.6 vite pas martesës, ndërsa çiftet e shkëputur emocionalisht u divorcuan mesatarisht 16.2 vite pas martesës”, – thuhet në faqen e internetit të Gotman.

Sipas hulumtimit të tij, faktori më vendimtar është përbuzja, pasi ky është parashikuesi më i fortë për një martesë që përfundon me divorc.

Fatmirësisht ai ka identifikuar disa kundërhelme të mundshme ndaj këtyre sjelljeve toksike. Në një periudhë afatshkurtër, përbuzja mund të lehtësohet nga njerëzit që përshkruajnë ndjenjat dhe nevojat tuaja për çdo lloj çështjeje të caktuar.

Njerëzit duhet të përpiqen të shmangin përdorimin e deklaratave që fillojnë me “ti”, të cilat mund t’i bëjnë partnerët të ndihen të fajësuar apo të sulmuar. Ndërkohë në terma afatgjatë, është e rëndësishme të zhvillohet një kulturë e dashurisë dhe admirimit për njëri-tjetrin.

 

Megjithatë, ia vlen të kujtojmë se divorci nuk parashikohet vetëm nga psikologjia, por edhe nga një sërë faktorësh kulturorë, ekonomikë dhe ligjorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco