Shqiptaro-amerikanët e Michigan duhet të votojnë Trump

Shqiptaro-amerikanët e Michigan duhet të votojnë Trump

19:27, 06/04/2024 Nga Çim Peka
A+ Aa A-

Ndërkohë që fushata presidenciale amerikane po merr formë me një ri-përballje midis presidentëve Trump dhe Biden, duket se shteti i Michigan me 15 vota elektorale këtë radhe do të mbajë një peshë të madhe për të dy kampet, si një ‘swing state’. Me një komunitet prej rreth 200 mijë vetash, komuniteti shqiptar duhet të pozicionohet qartazi pro presidentit Trump për së paku tri arsye.

Në një speciale pak ditë më parë në Fox News, gazetari konservator Mark Levin, teksa kritikonte politikën e jashtme dhe veçanërisht Sekretarin e Shtetit, Blinken, u shpreh: ‘Shikoni, unë siç e dini, unë mund të flas gjithë ditën dhe për Ballkanin dhe atë që Antony Blinken i ka bërë Partisë Konservatore në Shqipëri. Ajo është e turpshme. Askush nuk i kushton vëmendje. Por, ai ka vënë ata nën sanksione sepse ata sfiduan socialistët që ai do’. Ndërsa vërejtja e Levin është plotësisht e sakë, ajo është e paplotë. Qëndrimi i Blinken ndaj Shqipërisë është i diktuar nga George Soros dhe nuk përshtatet me interesat e dy vendeve aleate. Sali Berisha është i vetmi lider sot, i cili luftoi një regjim komunist dhe e mundi. Është ai që ktheu Shqipërinë në Perëndim, duke e anëtarësuar atë në Këshillin e Europës, në NATO, duke vendosur SHBA-të në qendër të politikës së jashtme. Ai u sanksionua sepse është lideri i vetëm konservator në këtë pjesë të botës, i cili sfidon ideologjikisht George Soros.

Antony Blinken do të mbahet mend si Sekretari i Shtetit, i cili arrestoi liderin konservator, shkatërroi opozitën e një vendi aleat me traktat, dhe dëmtoi marrëdhëniet midis dy popujve. Shqiptarët janë kombi më pro-amerikan në botë, por me mbështetjen e Soros dhe Blinken, Shqipëria është kthyer në një narko-shtet. Vëllai i kryeministrit Rama është i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, por ai është i paprekshëm prej një sistemi drejtësie të reformuar nga Fondacioni Soros me mbështetjen amerikane. Dy prokurorët e mbyllën çështjen e tij, njeri u shpërblye duke u emëruar Prokuror i Përgjithshëm, ndërsa tjetri Prokuror Special. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, megjithëse të gjithë bashkëpunëtorët e tij janë sot në burg për korrupsion masiv, nuk përballet me drejtësinë vetëm se mbështetet nga Aleks Soros. Shqipëria sot përballet me sfidën e saj më të madhe ndër shekuj. Në 10 vitet e fundit, janë larguar rreth 30 % e popullsisë prej varfërisë prej një skeme të mirëmenduar të Edi Ramës. Vazhdimi i tij në pushtet, do t’i zhbëjë shqiptarët si komb.

Presidenti Trump ka një trashëgimi të pasur në lidhje me Kosovën. Ai ndaloi ndarjen e Kosoves, një projekt i Fondacionit Soros në Beograd, pavarësisht faktit se elementë të administratës së tij ishin pro këtij projekti. Trump ishte presidenti i vetëm amerikan që uli bashkë liderët e Kosovës dhe Serbisë në Zyrën Ovale dhe i detyroi ata të arrinin një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Ai siguroi njohjen e Kosovës nga Izraeli. Trump shmangu konfliktin ne Ballkan, por kjo marrëveshje u zhbë nga administrata e presidentit Biden. Vetë Presidenti kishte një trashëgimi prej dekadash në mbështetje të Kosovës si senator, por ajo u zhbë prej Departamentit të Shtetit.

Kosova është e pavarur prej Shteteve të Bashkuara me një mbështetje bipartizane. Në tre vitet e fundit, qasja e Departamentit te Shtetit është tërësisht pro-serbe, duke ushtruar presion të padrejte ndaj autoriteteve të Kosovës.

Presidenti Vuçiç kërkon ta mbajë Serbinë si faktor përmes kërcënimeve për luftë. Nxitja e urrejtjes tribale dhe pakënaqësive historike me gjuhën e Marksizëm-Leninizmit nga regjimi i Millosheviçit çoi në shkatërrimin e Jugosllavisë multietnike dhe gjenocidin nga shqiptarëve dhe boshnjakëve. Të njëjtës retorikë i është kthyer përsëri Presidenti Vuçiç. Paralelet e kësaj retorike me ‘Wokeismin amerikan nuk mund të injorohen. Edhe presidenti Vuçiç mbështetet nga George Soros.

Së fundmi, marksizmi ideologjik nuk është beteja jonë. Evropa është në luftë, Ballkani në prag, dhe Lufta e Tretë Botërore më afër se kurrë. Gjëja e fundit që mund të shqetësojë shqiptarët dhe amerikanët është nëse drita e diellit është raciste, apo ngarkesa e rëndë emisionale që shkakton ngrohja globale tek komuniteti LGBT në Afriken sub-sahariane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco