Dhoma Amerikane e Tregtisë ka zhvilluar sot një takim me bizneset anëtare, ku janë diskutuar hapur problematikat që ato hasin në përballjen me administratën tatimore. Qëllimi i aktivitetit ishte krijimi i një platforme dialogu, përmes së cilës synohet përmirësimi i procedurave tatimore dhe adresimi i çështjeve që po rëndojnë klimën e biznesit.
Gjatë fjalës së saj, përfaqësuesja e Dhomës Amerikane, Alketa Uruçi, u ndal te domosdoshmëria për ndërhyrje të menjëhershme në legjislacion dhe në mënyrën e funksionimit të administratës tatimore, e cila sipas saj vijon të zbatojë praktika të gabuara.
“Kërkohet një hap madhor në bërjen e ligjeve të mira me qëllim përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian. Në faqen e tatimeve nuk ka përditësim të dhënash. Anëtarët e Dhomës kanë kërkuar për të bërë një hap madhor, jo vetëm në bërjen e ligjeve të mira, me qëllim përafrimin e ligjit me BE.
Praktikat e administratës tatimore me TVSH janë shumë të gabuara. Dy raste po përmend, rimbursimi i TVSH për rastet e investimeve turizëm apo industri, ku administrata tatimore gjen artifica për të mos kredituar TVSH për bizneset që po bëjnë një investim. Kjo është një barrë e rëndë për investimet.
Rasti i dytë, është ai i shitjeve nën kosto, është praktikë.
Në fund janë penalizuar subjektet që operojnë në fushën e energjisë elektrike, ku për shkak të ndryshimit të çmimit të energjisë janë penalizuar dhe detyruar të paguajnë tatime të mëdha pasi nuk e kanë shitur energjinë me çmimin e blerjes. Kemi shumë ankesa për marrëveshjen tatimore”, – tha Uruçi.
Sipas Dhomës Amerikane, këto problematika po ndikojnë drejtpërdrejt në frenimin e investimeve dhe në rritjen e pasigurisë për biznesin, ndërsa kërkohet urgjentisht rishikimi i praktikave të administratës dhe një harmonizim real me standardet e BE-së.
© SYRI.net