Administrata Tatimore njofton se ka realizuar me sukses procesin automatik të fshirjes/shuarjes pa kusht të detyrimeve tatimore të papaguara për kategoritë e parashikuara në ligj, në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 86/2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”,
Nga ky proces kanë përfituar 105,409 tatimpagues, ndërsa vlera totale e detyrimeve të fshira/shuara arrin në rreth 91.6 milionë euro, e ndarë në dy kategori kryesore:
– 70.5 milionë euro i përkasin gjobave administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë për detyrime të papaguara që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2014 dhe me datë kontabilizimi deri më 31.12.2024, ku kanë përfituar 13,667 tatimpagues.
– Ndërkohë, 21.1 milionë euro i përkasin gjobave të tjera administrative, përfshirë gjobat për dorëzim të vonuar të deklaratave, që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2024 dhe me datë kontabilizimi deri më 30.06.2026, me kusht që deklaratat përkatëse të kenë statusin “e dorëzuar”. Nga kjo kategori kanë përfituar 96,302 tatimpagues.
Në përputhje me përcaktimet e ligjit, nuk kanë përfituar tatimpaguesit e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për vepra penale në fushën e tatimeve dhe doganave. Gjithashtu, nuk janë përfshirë në procesin e fshirjes/shuarjes detyrimet tatimore për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore.
Ky proces përbën një nga hapat e rëndësishëm në zbatimin e masave të parashikuara nga ligji nr. 86/2025, pas përfundimit të procesit të kompensimit automatik të tepricave kreditore me detyrimet tatimore të papaguara.
Administrata Tatimore mbetet e angazhuar për zbatimin e plotë të masave të parashikuara në ligj, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit, përfundon njoftimi./ Monitor/
© SYRI.net