Nga Monitor.al
Shqipëria ka koston më të lartë të internetit nga rrjetet celulare, në raport me të ardhurat, në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU), të cituara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), kosto mesatare e shportës mujore të internetit me brez të gjerë për vitin 2025 në Shqipëri ishte sa 1.69% e të ardhurave mujore bruto (GNI).
Me një nivel të tillë, Shqipëria renditet ndjeshëm sipër vendeve të tjera të rajonit dhe mesatares botërore. Pas Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut, me 1.31% të GNI, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia, me 0.96%. ITU nuk publikon të dhëna për Kosovën.
Shqipëria ka gjithashtu kosto dukshëm më të larta se mesatarja botërore, prej 1.38% e GNI.
Shqipëria pozicionohet pranë niveleve më të larta në rajon dhe sipër mesatares botërore edhe në shportën e komunikimit me përdorim të lartë (140 minuta, 20 SMS dhe 5GB), me 1.95% të GNI. Me këtë nivel, Shqipëria është vendi i dytë me kosto më të larta të paketës në fjalë në Rajon, pas Maqedonisë së Veriut, me 2.1% të GNI. Pas Shqipërisë vijojnë Bosnje-Hercegovina, me 1.86%, Serbia, me 1.49% dhe Mali i Zi, me 1.01%.
Mesatarja botërore e kostos për këtë shportë është në nivelin 1.54%.
Vlerësimi i përballueshmërisë së shërbimeve të komunikimeve elektronike në Shqipëri është kryer në përputhje me metodologjinë e ITU, e cila mat koston e shportave standarde të TIK në raport me të ardhurat kombëtare bruto për frymë. Pragu prej 2% i GNI/banorë shërben si kufi referues për përcaktimin e përballueshmërisë së shërbimeve bazë.
Sipas analizave të AKEP, shërbimet celulare paraqiten në një situatë më të favorshme, ku të gjitha shportat, si ato me konsum të ulët, vetëm për internet, ashtu edhe ato me konsum të lartë, rezultojnë nën ose shumë pranë pragut prej 2% të GNI për frymë.
Nga ana tjetër, shporta e broadband-it fiks ka paraqitur një përmirësim gradual, duke zbritur nga 2.31% në vitin 2024 në rreth 2.08% në vitin 2025, duke zbritur pranë pragut të përballueshmërisë në një nivel më të pranueshëm.
Pas vitit 2023, konsumatorët shqiptarë po përballen me një rritje graduale të çmimeve të komunikimit, veçanërisht në segmentin celular. Kjo periudhë përkon me përqendrimin e strukturës së tregut në dy operatorë të vetëm.
Pas një periudhe disavjeçare të karakterizuar nga një konkurrencë e ashpër, fitime të dobëta dhe në disa raste edhe çmime grabitqare, struktura e re duopol duket se po u lejon operatorëve të korrigjojnë çmimet dhe të përmirësojnë parametrat e tyre financiarë.

© SYRI.net