Një nismë e re legjislative e qeverisë, e pagëzuar si “Paqja Fiskale”, ka ndezur debate të ashpra mes ekspertëve të ekonomisë, të cilët paralajmërojnë për pasoja të rënda dhe afatgjata në treg dhe në shtetin ligjor.
I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto' audituesI Armand Hasko tha se ky ligj në thelb nuk i shërben shumicës së qytetarëve, por hap dyert për legalizimin e parave me burim të paligjshëm.
Sipas tij, nisma i mundëson individëve dhe bizneseve të deklarojnë pasuri të fshehura duke paguar një taksë minimale prej 5%.
Kjo konsiderohet një konkurrencë e pandershme ndaj tatimpaguesve të rregullt, të cilët paguajnë taksa deri në 15% ose më shumë.
Hasko vuri në dukje se nisma të ngjashme janë kundërshtuar më parë nga institucionet ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, pikërisht për shkak të rrezikut të lartë të pastrimit të parave.
Edhe pse ligji pretendon se do të ketë kontrolle për të parandaluar futjen e “parave të pista”, ekspertët shprehen skeptikë për efektivitetin e këtyre mekanizmave, duke argumentuar se ligji hap një “shteg” të rrezikshëm.
Sipas nenit 7 të draftit, për të gjitha transaksionet që amnistohen, “nuk do të aplikohen dënime administrative” dhe, çka është më tronditëse, “nuk ushtrohet kontroll tatimor”. Kjo dispozitë praktikisht u jep imunitet të plotë jo vetëm evazorëve fiskalë, por potencialisht edhe trafikantëve, pastruesve të parave dhe elementëve të tjerë kriminalë.
Audituesi tha se sta do të mund të legalizojnë pasuritë e tyre pa frikën se do të hetohen apo ndëshkohen për të kaluarën e tyre financiare, duke u bërë kështu “të paprekshëm”.
Deklarata e plotë:
"Tani mazhoranca ka dashur ta bëjë këtë një mandat më përpara me ligjin e amnistisë fiskale, thjesht tani kemi ndryshim të emrit, domethënë, paqja fiskale.
Dhe herën e parë kjo është rrëzuar nga FMN-ja apo nga Banka Botërore, në mënyrë që të ketë pamundësi për të futur parave të pista në biznes, domethënë të paktën kontrolli i lekëve që do të hyjnë nëpër kompani të jenë të pastra.
Faktikisht ata shprehen në ligj që do mundohen që mos të lënë lejimin e këtyre parave, por mundësia për kontroll nuk e di sa reale do të jetë për t'i kontrolluar burimin e këtyre lekëve.
Fakti që ligji hap një shteg që të gjithë mund të bëjnë ndryshimin e pasqyrave financiare dhe të fusin shuma të lekëve që kanë dhe të bëjnë ndryshimin e zërave të aktivit siç janë mjetet monetare apo të shtojnë vlerën e kapitalit apo zëra të tjerë, kjo tregon që hapet një shteg që do përdoret.
Ndoshta nuk do përdoret nga shumica e biznesit por do përdoret nga ata persona që kanë nevojë".
© SYRI.net