SYRI TV
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një tjetër operacion në veri të vendit ku ka bllokuar dhjetëra biznese në një ditë të vetme me kërkesë të Drejtorisë së Tatimeve. Qendra Kombëtare e Biznesit ka njoftuar për mbylljen e bizneseve në disa qytete ndërsa nuk bëhen të ditura arsyet e këtij bllokimi masiv. Aksioni për bllokimin e bizneseve vjen pas shembjeve të shtëpizave të drurit në Theth.
Pas fadromave në Theth, tashmë qeveria shqiptare ka marrë një operacion të gjerë kundër bizneseve në zonën e Veriut. Në një ditë të vetme, Drejtoria Tatimore e Rajonit Verior ka njoftuar Qendrën Kombëtare të Biznesit për të bllokuar dhjetëra biznese në qytetet Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër e Tropojë.
QKB-ja nuk ka publikuar arsyet e detajuara të këtij bllokimi masiv, por është mjaftuar vetëm me shpalljen e njoftimit, që në çdo rast shoqërohet me titullin “vendosje nën masën e sigurimit të detyrimit tatimor”.
Aksioni i Tatimeve të Rajonit Verior ka prekur kryesisht biznese të vogla familjare dhe, në raste më të rralla, subjekt më të mëdha. Rajoni Verior është zona më e varfër e Shqipërisë. Qeveria shqiptare nuk ka ofruar prej vitesh paketa ndihmëse për bizneset e zonës, të cilat janë në fazë mbijetese, për shkak të fuqisë së pakët blerëse.
Përkundrazi, kabineti i Edi Ramës, pas nisjes së mandatit të katërt qeverisës, u ka rezervuar veriorëve një tjetër aksion, nga ato që kryeministri i quan “operacione kundër paligjshmërisë”. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, Rama u deklaroi qytetarëve dhe bizneseve se do të falte taksa dhe detyrime, si një mënyrë për t’i dhënë frymëmarrjes sipërmarrjes së lirë.
Por, menjëherë pas zgjedhjeve, Rama dhe bashkëpunëtorët e tij e harruan këtë premtim. Të parët që e ndjenë mashtrimin e kryeministrit ishin banorët e Thethit, të cilët u gjendën nën dhunën e fadromave gjatë sezonit veror. Por, goditja ndaj bizneseve në Theth nuk ishte masa e vetme e qeverisë ndaj Veriut. Tashmë, radhën e kanë bizneset në qarkun e Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës, të cilët po goditen masivisht nga administrata tatimore.
© SYRI.net