Çudia shqiptare, deficiti rritet, leku nuk dobësohet

Çudia shqiptare, deficiti rritet, leku nuk dobësohet

12:43, 20/02/2024
A+ Aa A-

Ndryshimet në tregtinë e jashtme të Shqipërisë gjatë muajit janar të këtij viti mund të konsiderohen për nga përmasat si “drastike”. Dhe çudia më e madhe konsiston në faktin se si rreth 300 milionë euro deficit nuk dhanë kurrfarë ndikimi në ecurinë e kursit të këmbimit të lekut.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Ekonomia shqiptare po përjeton lëvizje shumë të pazakonta, me lëvizje në magnitudë të lartë në volumet e tregtisë së jashtme dhe me monedhë kombëtare që duket se reziston përkundrejt trazirave.

Të dhënat e tregtisë së jashtme të vendit, të publikuara nga INSTAT të hënën, tregojnë për rënie në volumin e përgjithshëm të eksporteve me 29%, rritjen e importeve me 3.4% dhe rritjen e deficitit tregtar me shifrën marramendëse prej 87%. Dy shifrat e para duhet të merren me rezerva sepse ndryshimet janë shkaktuar pjesërisht nga një fenomen arithmetikor. Shifra e tretë është e tillë që shkon përtej këtij fenomeni. Sipas INSTAT, Shqipëria eksportoi 42 miliardë lekë mallra në janar 2023 dhe 30 miliardë në janar të këtij viti. Importet ishin 58 miliardë lekë në janar 2023 dhe u rritën në 60 miliardë në janar të këtij viti. Deficiti tregtar ishte 16 miliardë lekë në janar të vitit të kaluar, u rrit në 30 miliardë lekë në janar të këtij viti.

Të dhënat e tregtisë së jashtme llogariten në monedhën kombëtare dhe forcimi i lekut mes dy periudhave shpjegon një pjesë të ndryshimit. Euro kushtoi mesatarisht 116 lekë në janar të vitit të kaluar dhe më pak se 104 lekë në janar të këtij viti. Leku rezulton i forcuar 10% përgjatë kësaj periudhe. Rrjedhimisht, rënia e eksporteve në masën 29% reflekton në rreth një të tretën llogaritjen e eksporteve të njëjta me kurs këmbimi të ndryshëm. Nëse hiqet efekti i kursit të këmbimit dhe eksportet raportohen në euro, rënia është më pak se 20%. Por e njëjta gjë ndodh edhe me importet, të cilat, ndërsa të llogaritura në lekë kanë pësuar rritje prej 3.4%, të llogaritura në valutë duhet të kenë pësuar një rritje më të madhe. Dhe pavarësisht efektit të kursit të këmbimit, fakti mbetet që një shifër jashtëzakonisht e konsiderueshme prej 30 miliardë lekësh ose gati 300 milionë euro përbën deficitin tregtar të vendit.

Përgjatë të gjithë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë dhe qeveria, në mënyrë të përsëritur, deklaruan se forcimi i monedhës kombëtare është një fenomen që i detyrohet përmirësimit të pozicionit të jashtëm të vendit, bilancit tregtar, bilancit të pagesave dhe bilancit të llogarisë kapitale.

Me të vërtetë, shifrat e mbështesin këtë hipotezë, ndonëse Fondi Monetar Ndërkombëtar, me teknikat e veta shumë të përparuara të analizës ekonomike, thotë se forcimi i lekut “nuk shpjegohet dot tërësisht” me përmirësimin e bilancit të pagesave. Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon gjithashtu me këmbëngulje që Banka e Shqipërisë të mos ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor dhe thekson se “kursi i lirë luhatës duhet të jetë vija e parë e mbrojtjes”. FMN e jep këtë këshillë mbështetur mbi prova të forta. Kursi i lirë luhatës është njëkohësisht një mekanizëm i fuqishëm, më i fuqishëm se sa ndërhyrja nga BSH dhe gjithashtu më i natyrshëm dhe që i zgjidh problemet më lehtë. Kursi i këmbimit reflekton volumin e përgjithshëm të tregtisë e të shërbimeve të vendit, në të cilin qarkullojnë miliarda euro ndërsa BSH me ndërhyrjet e saj në rendin e dhjetramiliona apo qindramiliona eurove është një faktor shumë më i vogël se sa vetërregullimi i tregtisë së jashtme.

Me pak fjalë, ndërsa leku forcohet, rregulli i përgjithshëm i ekonomisë sugjeron se eksportet e vendit bëhen më të shtrenjta dhe importet më të lira. Por ndërsa importet konkurrojnë prodhimin vendës, valuta që përdoret për të paguar këto importe pakësohet, gjë që detyrimisht sjell dobësim të lekut në tregun e këmbimit valutor dhe përmbysje, pra importe gradualisht më të shtrenjta dhe eksporte gradualisht më të lira e më konkurruese.

Vetëm se kjo gjë tani për tani nuk ka ndodhur. Deficiti i tregtisë së jashtme u rrit, por leku vijon të jetë i fortë. Që nga fillimi i janarit, kursi mesatar i këmbimit ka qenë afërsisht 103.9 lekë për euro, shifër kjo, një rekord historik.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco