Profesionet e lira: Pas tatimit të ri, 23% do ta mbyllin biznesin ose do të emigrojnë

Profesionet e lira: Pas tatimit të ri, 23% do ta mbyllin biznesin ose do të emigrojnë

07:00, 02/05/2024
A+ Aa A-

Në prill, profesionistëve të lirë iu publikuan në sistem deklaratat për “Këste paraprake të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi”.

Ndonëse këto këste ishin në zbatim të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat, – që hyri në fuqi në 1 janar dhe vendoste tatimin për profesionet e lira me 15% deri në 14 milionë lekë të ardhura dhe 23% mbi këtë kufi.

Por njoftimi i kësteve, ashtu siç pritej dhe siç ishte paralajmëruar, u shoqërua me reagime të shumta. Debatet lindën kryesisht për shkak të zbatimit gjysmak të ligjit dhe mungesës së informimit paraprak nga institucionet përkatëse shtetërore.

Së pari, kishte paqartësi në termat e përdorur, duke detyruar administratën të fshijë nga sistemi njoftimin e vlerësimit.

Së dyti, deklarimi i të ardhurave u bë sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Së treti, periudha e këstit të përllogaritur dhe publikuar nga tatimet ishte e paqartë dhe pagesa 12-mujore është ngjeshur në 9 muaj.

Së katërti, në llogaritjet për parapagimin e tatimit të thjeshtuar nga administrata tatimore nuk është marrë parasysh zbritja e shpenzimeve 30% (që parashikon ligji për subjektet me xhiro deri në 10 milionë lekë), por vetëm shpenzimet e deklaruara nga biznesi, duke bërë që këstet të rezultonin më të larta në raport me përllogaritjet paraprake të biznesit, bazuar në logjikën e ligjit. Tatimet thanë që zbritja do të bëhet në fillim të viti të ardhshëm, pasi nuk u arrit që të realizoheshin formularët e rinj.

Në këtë rrëmujë aktesh normative ata që e pësuan janë profesionistët që do të detyrohen të paguajnë shuma, që pjesa më e madhe e tyre i quajtën padrejtësish të larta, ose nuk i kanë rezervuar, sepse kanë ndjekur logjikën e ligjit.

Ligji është dërguar tashmë në Kushtetuese nga disa palë interesi. Arsyet e dërgimit të ligjit në Kushtetuese janë, cenimi i barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, dhe shkeljes së konkurrencën mes bizneseve me efekt rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë.

Në kulmin e këtij debati, gjatë periudhës 23-30 prill, “Monitor” zhvilloi një sondazh online të targetuar për profesionistët e lirë, përmes platformës që synon matjen e reagimit qytetar ECR (Engaged Citizens Reporting). Sondazhi përfshiu një kombinim të pyetjeve sasiore dhe cilësore.

Reagimi ishte i lartë. Sondazhin e plotësuan 613 profesionistë të lirë, 35% e të cilëve ishin femra. Prej tyre, 71% ishin nga Tirana.

Rezultatet e sondazhit treguan qartë perceptimin negativ të zbatimit të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat.

96% e të anketuarve u përgjigjën që aplikimi i tatimit progresiv do të kishte ndikim negativ në aktivitetin e tyre. Vetëm 3% thanë se nuk do të kishte ndikim, ndërsa zgjedhja për efekt pozitiv ose pa ndikim ishte më pak se 1%./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco